Përgjatë dy javëve të para të muajit korrik, kryesia e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, zhvilloi mbledhjet me të gjitha myftinitë për zhvillimin e planit strategjik 2024-2029.
Tematika e këtyre mbledhjeve të zhvilluara me myftinjtë ishte vizioni i zhvillimit për pesë vitet e ardhshme në aspektin e jetës fetare, pronave, financave, burimeve njerëzore, proceseve gjyqësore, marrëdhënieve ndërinstitucionale dhe aktiviteteve social-kulturore për çdo myftini të vendit.
Diskutimi mbi planin e zhvillimit afat shkurtër, afat mesëm dhe afat gjatë të institucionit në të gjitha nivelet, vjen si një nevojë e theksuar e kohës ku ndodhemi, kërkesave të besimtarëve që përfaqësojmë por edhe si një detyrim institucional, me qëllimin e vetëm të rritjes së efiçensës dhe cilësisë së punës nga organet dhe nënpunënsit e KMSH-së.
Si rrjedhojë, këto takime u zhvilluan në formën e një bashkëbisedimi, ku myftinjtë të ndarë në grupe parashtronin raportet e myftinive përkatëse para kryesisë së institucionit dhe Kryetarit H. Bujar Spahiu. Gjatë këtyre mbledhjeve pati sugjerime të ndryshme nga anëtarët e kryesisë mbi çështje specifike të sjella në fokus nga raportet e myftinive.
Më herët, këto mbledhje u zhvilluan edhe me drejtorët e drejtorive të KMSH-së, të cilët raportuan në të njejtën formë vizionin e drejtorive përkatëse.
Ky proçes gjithëpërfshirës ka si synim mbledhjen, përpunimin dhe adresimin e sugjerimeve apo kërkesave mbi sektorë të caktuar, si në qendër ashtu dhe në bazë, dhe ndërtimin mbi to të një plani pune apo axhende për një periudhë 5-vjeçare.
Të gjitha raportet dhe diskutimet e këtyre mbledhjeve do të zbardhen dhe do të ndiqen në terren përgjatë gjithë 5-vjeçarit në vazhdim.

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë