Çelësi i kënaqësisë së Zotit është falënderimi dhe lavdërimi
“Falënderimi ndaj Zotit” ishte tema e radhës që u mbajt në xhaminë e Xhurës në kryeqytet, në kuadër të ciklit të bisedave nën titullin “Frytet e Besimit”.
Mbrëmjen e hapi imami Gazmend Teqja, i cili, në rolin e mikpritësit, falënderoi nënkryetarin Gazmend Aga dhe të ftuarit e tjerë dhe në mënyrë të veçantë Komunitetin Mysliman për organizimin e këtyre takimeve tepër të frytshme.
Drejtori i Burimeve Njerëzore në KMSH, z. Dorian Demetja, foli rreth vlerave dhe dobive të falënderimit.“Të gjitha begatitë e njeriut vijnë prej Zotit dhe çdo gjë tjetër që shërben për ardhjen e begatisë është vetëm në planin e shkaqeve. Njeriu, rrethanat dukuritë natyrore etj., janë vetëm faktorë që begatitë e Zotit të mbërrijnë te njeriu. Çdo begati duhet të shërbejë për ta afruar më tepër njeriun me Zotin dhe jo për ta harruar Atë. Falënderimi duhet të bëhet me gojë dhe me vepra. Të gjitha lutjet që na ka mësuar Profeti ynë fillojnë duke e falënderuar Zotin”, u shpreh ndër të tjera z. Demetja.
Ndërsa teologu Sabahudin Jashari, duke folur për rëndësinë që Zoti i ka dhënë falënderimit, u shpreh: “Ajeti i parë me të cilin fillon Kurani është: Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve, kurse adhurimi i vetëm për të cilin Ai na urdhëron t’u tregojmë të tjerëve, është të flasim për mirësitë që na ka dhënë. Zoti nuk ka nevojë për falënderimin tonë, por e kërkon atë me qëllim që të na japë të mira të tjera.”
Në program kishte këndim Kurani dhe ilahi, të cilat e gjallëruan edhe më shumë atmosferën si dhe emocionuan pjesëmarrësit e shumtë që kishin mbushur xhaminë.
Të gjithë u larguan duke marrë me vete kënaqësinë e këtij tubimi vëllazëror dhe me shpresën se kanë përfituar edhe bekimin e Allahut të Gjithëfuqishëm.
Cikli “Frytet e besimit” do të vazhdojë rrugëtimin e tij çdo të martë e të mërkurë pas namazit të akshamit me tema të tjera të pasura e të larmishme, duke bërë pjesë të tij xhamitë kryesore të Tiranës dhe ato në shkallë vendi.
8 Prill 2014