Nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Lauren Luli, mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të xhamisë shqiptare “Tulipan” në Reinachut të Zvicrës.

Në këtë organizim ishin të pranishëm kryesia dhe imami i xhamisë “Tulipan”, përfaqësues të bashkësive fetare të Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Luginës së Preshevës, Zvicrës, autoritet lokale të zonës, si dhe një numër i konsiderueshëm besimtarësh.

Në fjalën e tij përshëndetëse, nënkryetari Luli, uroi dhe përgëzoi të gjithë kontribuuesit për ndërtimin e kësaj xhamie. Më tej, ai u ndal në vlerën e tyre në përditshmërinë e besimtarëve dhe komunitetit në përgjithësi.

“Xhamitë janë shtëpitë e Zotit, janë vende ku përmendet e lartësohet emri i Tij, janë vende ku forcohen lidhjet mes njerëzve që duhen për hirë të Allahut. E dashuri më të madhe se ajo që ndodh pa interesa të kësaj bote, por vetëm për kënaqësinë e Zotit, nuk ka.”- tha ai.

Po ashtu z. Luli nuk la pa vlerësuar kontributin dhe rolin e besimtarëve shqiptarë që jetojnë e punojnë kudo në diasporë, në përfaqësimin e kombit dhe fesë tonë të pastër.

“Dua t’i them secilit nga ju këtu se Komuniteti Mysliman i Shqipërisë është krenar me ju. Është krenar me përfaqësimin që i bëni ju islamit dhe kombit. Ju trashëgoni vlerat kombëtare dhe ato islame si të pandara te fëmijët tuaj, kjo është një pasuri e paçmuar për të ardhmen tonë të përbashkët.” – përfundoi ai.

Më tej aktiviteti vijoi me fjalë të tjera përshëndetëse dhe shpërndarjen e disa certifikatave felenderimi për kontribuesit dhe të gjithë ata që bënë të mundur realizimin e këtij projekti.

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë