Nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Lauren Luli, mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të xhamisë shqiptare të Winterthurit në Zvicër.
Në këtë ceremoni, ishin të pranishëm kryesia e Komunitetit Mysliman Shqiptar të Zvicrës, me në krye, z. Mehas Alija, kryesia dhe imami i xhamisë Winterthur, si dhe përfaqësues të komuniteteve të tjera myslimane shqiptare të diasporës dhe të trevave shqipfolëse, si Kosova, Maqedona e Veriut, Mali i Zi, etj.
Të pranishmit e mbledhur me këtë rast, kryesisht shqiptarë që jetojnë e punojnë prej vitesh në Zvicër dhe vende të ndryshme përreth, u përshëndetën nga personalitetet e lërtëpërmendur dhe jo vetëm.
Nënkryetari i KMSH-së falenderoi kontribuesit për ndërtimin e kësaj xhamie dhe theksoi se xhamia është një vend ku përcillen mesazhe paqeje dhe me aktivitetin e saj ajo forcon identitetin tonë fetar dhe kombëtar.
Pjesëmarrësit ndanë mesazhe të ndryshme urimi, paqeje, vëllazërie e reflektimi mbi sfidat aktuale të kohës.
Në fund të ceremonisë, të lartëpërmendurit prenë në mënyrë simbolike shiritin e inaugurimit, duke hapur zyrtarisht ambientet e kësaj xhamie të re për besimtarët.
Po ashtu, në kuadër të kësaj vizite, nënkryetari i KMSH-së z. Lauren Luli dhe Drejtori i Financave, z. Edison Hoti zhvilluan një vizitë në ambientet e reja të Komunitetit Mysliman Shqiptar të Zvicrës. Pjesë e kësaj vizite ishin edhe delegacionet e bashkësive islame që morën pjesë në inaugurimin e xhamisë.
Takimi ndërmjet tyre ishte i hapur dhe vëllazëror, si dhe preku tema të ndryshme aktuale me interes të përbashkët.