Ditën e sotme, në mbarë vendin tonë, ka filluar viti i ri akademik 2024-2025 në të gjitha institucionet e arsimit të lartë.

Nisur nga kjo, kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, ishte i pranishëm në ceremoninë e hapjes së Kolegjit Universitar “Bedër”, ceremoni e cila mblodhi sëbashku stafin akademik të institucionit, atë administrativ si dhe studentë aktualë, studentë të rinj, pindër e të ftuar.

Në fjalën e tij hapëse, Rektori i KU “Bedër”, Prof. Dr. Gjergj Sinani, pasi ju uroi mirëseardhjen të pranishmëve, inkurajoi studentët e rinj për zgjedhjen e tyre. Sipas tij, zgjedhja e këtij institucioni për të vazhduar studimet universitare është zgjedhje për të qenë në lartësinë e nevojave të kohës.

“Përgatitja e kuadrove të rinj për një punësim të qendrueshëm, përgatitja për të qenë qytetar aktiv me vlera në jetën shoqërore dhe për të kontribuuar përballë sfidave të kohës, zhvillimi personal, ai akademik dhe intelektual janë disa nga pikat më të forta në të cilat është i orientuar ky institucion, ftytet e të cilit i tregojmë vit pas viti me hedhjen e profesionistevë të rinj në tregun e punës” – u shpreh z. Sinani gjatë fjalës së tij.

Ndërsa kryetari Spahiu, bëri një rezyme të shkurtër të rrugetimit tashmë 14-vjeçar të këtij institucioni, duke nxjerrë në pah përmbushjen e objektivave afatgjata në arsimimin dhe paisjen e të rinjve jo vetëm me aftësitë profesionale sipas nevojave të kohës, por edhe me vlerat humane kaq shumë të domosdoshme në ditët e sotme.

“Bedër nuk ishte thjeshtë një universitet më shumë në Shqipëri, nuk ishte aspak një biznes, por ishte një projekt vlerash, për të cilin sot jemi krenar që ia kemi dalë, mes sfidash të shumta, mes peripecish që jo gjithmonë varen nga ne, por tashmë mund të them me bindje se ja kemi dalë që të gjithë së bashku të ndërtojmë një traditë vlerash dhe kjo gjë ka dhënë impaktin e saj në shoqëri, pasi brezat e diplomuar këtu janë tashmë shembuj suskesi në profesionet e tyre” – veçoi kryetari Spahiu në përshëndetjen e tij.

Me rastin e fillimit të vitit të ri akademik, përshëndetën gjithashtu edhe dekanët e fakulteteve si dhe përfaqësues nga studentët aktualë.