Në ambientet e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë (KMSH), kryetari H. Bujar Spahiu priti në një takim ish-medresistë të Tiranës dhe funksionarë të vjetër të institucionit, të cilët kanë mbajtur detyra të rëndësishme në KMSH dhe institucionet e tij të varësisë.

Pjesë e kësaj vizite ishin Xhemall Balla, Mehdi Cani, Ismail Dizdari, Ali Hoxha, Sabri Hushi dhe Idriz Zeneli, të cilët kanë dhënë kontribute të çmuara në ringritjen e institucioneve fetare dhe arsimore pas periudhës së komunizmit.

Qëllimi i vizitës ishte shkëmbimi i mendimeve mbi sfidat dhe përparimet e Komunitetit Mysliman ndër vite. Ish-medresistët shprehën vlerësimin e tyre për vijën tradicionale që KMSH vazhdon të ndjekë, duke ruajtur dhe promovuar vlerat më të mira të Islamit, një traditë që daton që nga themelimi i institucionit.

Biseda ishte e hapur dhe miqësore, ku u trajtuan edhe sfidat e fillimeve të vështira pas rënies së regjimit komunist dhe përpjekjet e palodhura për të ringritur institucionet fetare.

Kryetari Spahiu i falënderoi të pranishmit për vizitën dhe kontributin e tyre të vazhdueshëm ndër vite, duke theksuar se Medreseja e Tiranës vazhdon edhe sot të ruajë vlerat më të mira dhe të jetë një dritare e rëndësishme për arsimimin dhe dijen në Shqipëri.

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë