Ministri i Haxhit dhe i Umres në Mbretërinë e Arabisë Saudite, Shkëlqesia e Tij, Taufik bin Fauzan al-Rabiah, zhvilloi një vizitë zyrtare në vendin tone me ftesë të Kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë (KMSH), H. Bujar Spahiu.

Qëllimi kryesor i vizitës ishte forcimi i marrëdhënieve mes dy institucioneve dhe avancimi i projekteve të përbashkëta që lehtësojnë dhe përmirësojnë përvojën e shqiptarëve që kryejnë ritualet e Haxhit dhe të Umres në vendet e shenjta.

Takimi i parë u zhvillua në ambientet e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, ku Kryetari Spahiu, anëtarë të Kryesisë dhe myftinj i uruan mirëseardhjen Ministrit al-Rabiah dhe shprehën mirënjohjen për mbështetjen e palodhur të tij në përmirësimin e kushteve për pelegrinët shqiptarë.

Si pjesë e vizitës së tij, Ministri dhe Kryetari Spahiu udhëhoqën një takim pune me grupet përkatëse nga të dy institucionet, ku u diskutuan iniciativa konkrete për të zgjeruar bashkëpunimin.

Ky takim i përbashkët ishte një hap domethënës për të ndërtuar ura të reja bashkëpunimi, duke synuar që Shqipëria dhe Arabia Saudite të angazhohen më shumë në organizimin dhe mbështetjen e vizitorëve nga të dy vendet.

Një tjetër aktivitet i rëndësishëm në axhendën e Ministrit al-Rabiah ishte vizita e tij në Panairin e Haxhit dhe të Umres, që u organizua për herë të parë në Ballkanin Perëndimor në bashkëpunim me KMSH-në.

Panairi mblodhi disa prej kompanive më prestigjoze saudite, të cilat ofruan një pasqyrë të shërbimeve të tyre për agjencitë shqiptare dhe të rajonit, duke përfshirë udhëtimet ajrore, transportin, akomodimin dhe lehtësirat e tjera për besimtarët që vizitojnë vendet e shenjta.

Ministri al-Rabiah dhe Kryetari Spahiu vizituan stendat e kompanive pjesëmarrëse dhe u njohën nga afër me shërbimet dhe mundësitë e reja që këto kompani ofrojnë, duke e parë këtë panair si një mundësi të rëndësishme për të forcuar lidhjet mes institucioneve fetare dhe agjencive të udhëtimit në rajon.

Më tej, në nder të vizitës së Ministrit të Haxhit dhe Umres në vendin tonë, z. Taufik bin Fauzan al-Rabiah, Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, organizoi një drekë pune me pjesëmarrjen e anëtarëve të Kryesisë së institucionit, myftinjve të vendit, ambasadorëve të përfaqësive të ndryshme diplomatike në Tiranë, titullarëve të Kolegjit Universitar “Bedër” dhe pjesëtarëve të delegacionit të Ministrit Saudit.

Kjo vizitë ishte një kontribut i mëtejshëm në forcimin e lidhjeve mes dy vendeve tona në funksion të përmirësimit të shërbimeve për besimtarët myslimanë shqiptarë dhe vizitat e ndërsjellta mes dy vendeve.

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë