Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, priti në një takim në selinë e institucionit, z. Mohummed Umar Sayed, kreun e organizatës “Mirësi për Botën”.
Ky takim vjen në kuadër të marrëdhënieve dhe bashkëpunimeve të njëpasnjëshme ndërmjet dy palëve, me synimin e mbështetjes së aktivitetit fetar në xhami të ndryshme të vendit, ndihmesën e shtresave në nevojë, hapjen dhe menaxhimin e jetimoreve, zhvillimin e aktiviteteve të bamirësisë, etj.
Bashkëbisedimi ndërmjet dy krerëve u fokusua në mbarëvajtjen e implementimit të marrëveshjeve të lartpërmendura, si dhe vizionin e përbashkët në konsolidimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të këtyre projekteve.
Në fjalën e tij, kryetari Spahiu, e falënderoi z. Sayed për mbështetjen e ofruar për imamë të shumtë në Shqipëri deri më tani dhe vlerësoi përpjekjet e organizatës “Mirësi për Botën” në misionin fisnik për t’iu ardhur në ndihmë kategorive të ndryshme më vulnerabël të shoqërisë sipas nevojave përkatëse si në vendin tonë, ashtu edhe në pjesë të ndryshme të botës.
Ndërsa z. Sayed, e falënderoi kryetarin Spahiu për bashkëpunimin dhe theksoi se organizata e tij synon të kontribuojë sa më shumë në përpjekjet e KMSH-së për përmirësimin e kushteve të punës për myftinjtë dhe imamët e institucionit.
Takimi vijoi më tej në formën e një bashkëbisedimi të lirë.