Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, së bashku me anëtarë të tjerë të kryesisë së institucionit, zhvilluan një vizitë pune në Myftininë e Kukësit, ku u pritën nga Myftiu Emirjon Vathaj, administratori dhe imamët e myftinisë.
Kjo vizitë, e cila është pjesë e një turi vizitash pune në myftinitë e vendit, kishte për qëllim ndjekjen në terren të objektivave të përcaktuara në mbledhjet e zhvilluara më herët për planin strategjik të punës 2024-2029.
Gjatë takimit, Myftiu Vathaj bëri një përmbledhje të aktiviteteve dhe arritjeve kryesore të myftinisë, duke vënë theksin në përmirësimin e jetës fetare dhe sociale. Ai shprehu angazhimin e stafit të myftinisë për të vazhduar me përkushtim punën drejt përmbushjes së qëllimeve të vendosura.
Kryetari Spahiu e përgëzoi Myftiun dhe imamët për punën e tyre të palodhur dhe rezultatet e deritanishme. Ai theksoi rëndësinë e ruajtjes së standardeve të larta në shërbimet fetare dhe sociale, duke ofruar mbështetjen e institucionit për realizimin e projekteve të reja.
Takimi u zhvillua më tej në formën e një bashkëbisedimi të hapur, ku u diskutuan tematika të ndryshme me interes, si edukimi fetar, përmirësimi i infrastrukturës së objekteve fetare dhe thellimi i bashkëpunimit me komunitetin lokal.