Pas namazit të xhumasë, në Xhaminë e Re të Kombinatit, u organizua një panair bamirësie me qëllim mbështetjen e grave të diagnostikuara me kancer.

Ky aktivitet u realizua nga Drejtori i Marrëdhënieve me Besimtarët dhe njëkohësisht imam i Xhamisë së Re në Kombinat, z. Shpëtim Seranaj dhe imami i Xhamisë së Vjetër në Kombinatit, z. Altin Plumbi, në bashkëpunim me Zyrën e Gruas pranë Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.

Panairi, i cili tërhoqi një pjesëmarrje të gjerë, mblodhi fonde që do të përdoren për të lehtësuar sfidat shëndetësore dhe ekonomike të grave të prekura nga kanceri.

Bizneset e zonës, besimtarët dhe qytetarët e zonës kontribuan me donacione ushqimore dhe materiale, duke treguar solidaritet dhe mbështetje të madhe për këtë kauzë fisnike.

Paralelisht me panairin, u organizua një aksion dhurimi gjaku për të ndihmuar fëmijët talasemikë. Talasemia është një ndër sëmundjet më të shpeshta të gjakut, që ka përhapje masive edhe në Shqipëri, duke përfshirë më së shumti fëmijët.

Organizatorët falënderuan të gjithë pjesëmarrësit, vullnetarët dhe kontribuesit për ndihmën e tyre në realizimin e këtyre dy aktiviteteve humanitare, duke treguar se solidariteti dhe bashkëpunimi mbeten vlera të larta të besimit në shërbim të atyre që kanë më shumë nevojë.

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2025 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë