Mbrëmjen e djeshme, pas namazit të jacisë, në qytetin e Librazhdit u zhvillua mbrëmja fetare e radhës në kuadër të ciklit “Frytet e Besimit”. Ky aktivitet i organizuar për besimtarët, pati si temë kryesore përgatitjen shpirtërore për muajin e shenjtë të Ramazanit dhe rëndësinë e unitetit mes nesh.
Besimtarët e shumtë të mbledhur me këtë rast, i përshëndeti fillimisht Myftiu i Qytetit, z. Edmond Ceni, i cili pasi i falenderoi ata për pjesëmarrjen, theksoi rëndësinë e angazhimit të tyre në aktivitete të tilla fetare me qëllim për të përfituar sa më shumë nga muaji aktual në të cilin ndodhemi dhe të përgatitemi sa më mirë shpirtërisht për muajin e Ramazanit.
Kjo mbrëmje u zhvillua më tej me referimin e Drejtorit të Thirrjes dhe Mesazhit Islam në KMSH, z. Erjol Haxhiu, i cili ndau me të pranishmit reflektime mbi tre muajt e mirë, duke u fokusuar në periudhën e përgatitjes shpirtërore për Ramazanin, një kohë për pastrimin e shpirtit dhe forcimin e lidhjes me Allahun (xh.sh).
Më tej, Drejtori i Marrëdhënieve me Besimtarët në KMSH, z. Shpëtim Seranaj, ndau disa këshilla të vyera mbi rëndësinë e vëllazërisë dhe unitetit mes besimtarëve. Ai theksoi se vetëm duke qenë të bashkuar dhe të mbështetur tek njëri-tjetri, mund të forcojmë komunitetin e përbashkët, si në spektin fetar po ashtu edhe në atë social e kulturor, e gjithashtu të realizojmë më së miri synimet shpirtërore të këtij muaji të shenjtë që po troket sërish në dyer tona.
Kjo mbrëmje e ngrohtë vëllazërore u mbyll me një qerasje të thjeshtë me ujë zemzemi, një moment i thjeshtë, por plot simbolikë.