Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu priti dje në një takim, në selinë e institucionit, z. Aref Almenhali, Drejtori i Zyrës së Gjysmëhënës së Kuqe të Emiratëve të Bashkuara në Shqipëri.

Gjatë këtij takimi, të dy palët shkëmbyen mendime mbi bashkëpunimin e mundshëm në fushën e humanizmit, atë fetare dhe ndihmës për shtresat në nevojë.

Në fjalën e tij, kryetari Spahiu, pasi e njohu shkurtimisht z. Aref me veprimtarinë e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, e falenderoi atë për mbështetjen e vazhdueshme që ofrojnë në vendin tonë, veçanërisht në fushën e zhvillimit social.

Ndërkohë, z. Almenhali shprehu gatishmërinë e shoqatës që ai përfaqëson për të vazhduar mbështetjen dhe për të thelluar aktivitetet e saj në Shqipëri, duke sjellë gjithashtu projekte dhe iniciativa që do të ndihmojnë në zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dhe bashkëpunimeve ndërmjet dy institucioneve.

Pjesë e këtij takimi ishin gjithashtu edhe Nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Lauren Luli, këshilltari i kryetarit Spahiu për Marrëdhëniet me Botën Arabe, Dr. Xhemal Saferty, si dhe z. Behar Bejko, Koordinator i Gjysmëhënës së Kuqe në Shqipëri.

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2025 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë