Xhamia e Fushe-Krujes (2)

Programi fetar “Frytet e Besimit” u zhvillua mbrëmë në Xhaminë e Fushë-Krujës, ku u diskutua mbi moralin në Islam.

Myftiu i Krujës, Agim Terziu u shpreh se programi “Frytet e besimit” është me të vërtetë si ajo pema nga e cila vjel vetëm fryte të mira dhe të shëndosha. Ai përgëzoi Komunitetin Mysliman për këtë organizim kaq të nevojshëm për jetën fetare në vend.

Nënkryetari i Komunitetit Mysliman, Bujar Spahiu, teksa foli rreth moralit në Kuran u shpreh se burimi hyjnor i Islamit, Kurani, mbështetet në konceptet e moralit, dashurisë mëshirës, përkushtimit, harmonisë dhe paqes.

Xhamia e Fushe-Krujes (1)

“Një njeri që i zbaton me kujdes këto parime është i sjellshëm, i thjeshtë, i drejtë dhe i besueshëm. Myslimani duhet të jetë një njeri që pajtohet me urdhëresat e Zotit, prej të cilave është edhe morali i mirë”, tha z. Spahiu.

Drejtori i Burimeve Njerëzore në KMSH, Dorian Demetja, foli mbi moralin e Profetit Muhamed, i cili përbën një shembull unik në çdo aspekt të jetës.

“Morali i profetit ishte Kurani. Ai ishte një Kuran që ecte mbi tokë. Brenda një kohe të shkurtër ai shkuli injorancën dhe mbolli virtytet  dhe bukuritë e Islamit. Profeti është një shembull praktik që na tregon se si ta jetojmë jetën konform moralit që besimi ynë na obligon”, tha z. Demetja.

Cikli “Frytet e Besimit” solli një atmosferë të ngrohtë shpirtërore  në Xhaminë e Fushë Krujës edhe përmes këndimit të ajeteve të Kuranit Fisnik.

23 Prill 2014

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë