Në prag të hyrjes në tre muajt e begatë Rexheb, Shaban dhe Ramazan dhe natës së Regaibit, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë organizoi programe fetare me duà (lutje), këndim Kurani e biseda fetare në kryeqytet.
Ibë, 30 Prill 2014 – Nënkryetari i Komunitetit Mysliman, Bujar Spahiu, ishte i pranishëm në fshatin Ibë të Tiranës, ku foli rreth mirësive të tre muajve të begatë. “Muaji Rexhep është muaji i faljes, i amnistisë nga Allahu; muaji i Shaban është muaji i shefaatit, ndërmjetësimit për falje; muaji Ramazan është muaji i shtimit të mirësive. Allahu natën e Regaibit u jep myslimanëve mirësi dhe begati të panumërta. Kjo është nata kur pranohen lutjet, pendesat dhe kur shpërblimet e adhurimeve janë të shumta”, tha ndër të tjera z. Spahiu.
Xhamia Et’hem Beu, 1 Maj 2014 – Kancelari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë Ali Zaimi, teksa foli mbi tre muajt e begatë Rexheb, Shaban dhe Ramazan, u ndal veçanërisht në shpjegimin e mirësive të natës së Regaibit. “Janë momente ku mëshira e Zotit dhe begatia e Tij zbret te njerëzit më shumë se herët e tjera. Këto net, ditë e muaj, janë bonuse dhe pretekste që Allahu na ofron për të na falur dhe mëshiruar. Njerëzit është gabimtarë, por më i miri prej tyre është ai që pendohet. Prandaj le t’i shfrytëzojmë këto ditë të këtyre muajve, që të jemi më të devotshëm ndaj Zotit dhe më të dashur e të respektuar ndaj njerëzve”, nënvizoi z. Zaimi.
Medreseja e Tiranës- 1 Maj 2014 – Një program fetar është mbajtur edhe në Medresenë e Tiranës nga Zyra e Gruas në Komunitetin Mysliman, ku i ftuar ishte teologu Veton Tulla. “Profeti ynë a.s. dhe sahabët punonin shumë për të kapur mirësitë e këtyre tre muajve. E shtonin shumë më tepër adhurimin me namaze suplermentare, shtonin shumë përkujtimin dhe falënderimin ndaj Allahut, kërkonin falje, ndihmonin të varfrit, gëzonin jetimët, të vetmuarit dhe të moshuarit”, tha mes të tjerash z. Tulla.
Programet u hapën me këndim Kurani dhe u mbyllën me lutjen që edhe vetë Profeti ynë Muhamedia.s., ka bërë në këtë natë: “Allahu im! Na i bëj të bekuara Rexhebin dhe Shabanin dhe na bashko me Ramazanin.”
Të gjitha netët e mira në islam ndodhen brenda këtyre tre muajve. Muaji Rexhep cilësohet si muaji i mbjelljes, muaji Shaban si muaji i ujitjes dhe muaji Ramazan si muaji i korrjes apo mbledhjes së prodhimeve. Njeriu korr çfarë mbjell, merr barasvlerën e asaj që ka bërë.