“Unë dhe ai që përkujdeset për jetimin do të jemi si këta të dy në xhenet (dhe bashkoi gishtin tregues me atë të mesit).” Profeti Muhamed a.s.
Në kuadër të Ditës Kombëtare të Fëmijëve Jetimë, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, Drejtoria e Çështjeve Sociale, zhvilloi sot paradite një aktivitet bamirësie me fëmijët e shtëpisë “Zyber Hallulli”.
Myftiu i Tiranës Ylli Gurra u shpreh para gazetarëve se kjo ditë duhet të na shërbejë për të kthyer vëmendjen ndaj kësaj shtrese të shoqërisë, e cila ka nevojë qoftë edhe për një fjalë të ngrohtë. “Kjo ditë është një mundësi reale për shoqërinë që të reflektojë për nevojat që kanë këta fëmijë, për t’u rikthyer atyre buzëqeshjen dhe shpresën se një e ardhme më e mirë dhe e lumtur do t’i presë”, tha z. Gurra.
Kryetari i Komitetit Shtetëror për Kultet, Ilir Hoxholli, i pranishëm në këtë aktivitet, u shpreh: “Falënderojmë Myftininë e Tiranës dhe Drejtorinë e Çështjeve Sociale në KMSH, të cilët na mundësuan që të bëhemi pjesë e kësaj dite të gëzueshme, për të qenë pranë fëmijëve, së bashku nën logon: “Ndryshon bota me buzëqeshjen e fëmijëve”.
Ndërsa drejtoresha e Shtëpisë së Fëmijës, Zhaneta Beqiri theksoi se kjo nismë është një apel që i bëhet politikës dhe shoqërisë për të treguar më shumë vëmendje ndaj kësaj kategorie. “Mendoj se vëmendja dhe mbështetja e të gjithë shoqërisë, është një shtysë për një shërbim akoma më cilësor në këtë institucion. Falënderojmë Komunitetin Mysliman, i cili me dhuratat e sotme ua bëri edhe më të gëzuar këtë ditë fëmijëve të qendrës sonë”.
Vizitorët kaluan disa momente me fëmijët e pranishëm duke u shpërndarë edhe dhuratat që ishin përgatitur posaçërisht për ta. Ndërsa fëmijët i falënderonin ata jo vetëm për dhuratën, por edhe për dëshirën e tyre për të ndarë me ta emocionet dhe gëzimin e festës.
“Mbase ky moment nuk do t’u kthejë këtyre fëmijëve dashurinë e munguar, por shpresojmë që të ndikojë sadopak për ta kuptuar se ata nuk janë vetëm”, tha drejtori i Çështjeve Sociale në Komunitetin Mysliman, Edvin Kuçi.
Aktiviteti është përmbyllur me një drekë të përbashkët të organizuar në Medresenë e Tiranës.
20 Maj 2014