Zyra e Gruas në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë organizoi sot një program fetar në prag të natës së Israsë dhe Miraxhit.
Përgjegjësja e Zyrës së Gruas Fatma Karaj u shpreh se simbolika e natës së Israsë së Miraxhit është forcimi i besimit në zemrën e profetit dhe garancia se Zoti është dhe do të jetë gjithmonë me të.
“Gjatë udhëtimit, Muhamedi a.s., vrojtoi panorama të kozmosit. Pra, atij iu bë e mundur që të shohë argumentet e madhërisë së Allahut, të shikojë ngjarje e ndodhi të ndryshme, në të cilat manifestohet fuqia e Krijuesit”, tha znj. Karaj.
Në fund të fjalës së saj znj. Karaj, theksoi se në jetën e tonë duhet të udhëhiqemi nga mësimet e Kuranit dhe shembulli profetik dhe iu lut Zotit që t’u japë mbarësi, begati e paqe të përhershme mbarë myslimanëve.
Aktiviteti i organizuar në Medresenë e Tiranës dhe ku morën pjesë një numër i madh besimtaresh u shoqërua me një program të pasur me Kur’an, ilahi e poezi.
Veprimtari me rastin e kësaj nate të shënuar pritet të ketë edhe në qytete dhe fshatra në shkallë vendi.
Nata e Israsë dhe Miraxhit është më 25 Maj 2014
22 Maj 2014