“Një lodër në vend të lëmoshës së përditshme”, titullohet fushata e organizuar nga Komuniteti Mysliman, Drejtoria e Çështjeve Sociale, për “fëmijët e rrugës” në Tiranë.
Paketa që iu ofrua këtyre fëmijëve, të cilët i shohim shpesh në trotuaret e Tiranës apo duke fshirë xhamat e ndonjë makine, përbëhej nga një bluzë, një lodër, një korosan dhe një shishe ujë. Në dukje diçka e paktë, por që arriti qoftë edhe për një moment t’u kthejë buzëqeshjen mbi 50 fëmijëve në qendër dhe në periferi të kryeqytetit. Kurse fëmijët, të mrekulluar dhe me një gëzim të madh që u lexohej në sy, ua kthenin organizatorëve me falënderime e fjalë zemre, jo aq për dhuratën sesa për vëmendjen që u ishte kushtuar.
Edvin Kuçi, drejtor i Çështjeve Sociale në Komunitetin Mysliman, theksoi se qëllimi i institucionit me organizimin e kësaj fushate, është që të ndërgjegjësojë shoqërinë dhe të zgjojë interesin e saj për rolin që duhet të ketë ndaj kësaj kategorie. “Këta fëmijë nuk kërkojnë shumë. Atyre u mjafton një buzëqeshje apo një dhuratë e vogël, thjesht për të mos u ndjerë të huaj në shoqërinë ku jetojnë”, tha z. Kuçi.
Ndërsa Lauren Luli, përgjegjës i Sektorit të Rinisë në KMSH, u shpreh: “Kjo nismë duhet të shërbejë si nxitje për secilin prej nesh për të treguar sa më shumë kujdes e dashuri për këtë kategori.”
Z. Kuçi, pasi falënderoi personat që bënë të mundur realizimin e këtij projekti, premtoi se aktivitete të tjera me fokus fëmijët do të jenë pjesë e projekteve në vazhdim të KMSH-së.
5 Qershor 2014