ZK1A0310

Në ambientet e Akademisë së Shkencave u promovua sot enciklopedia me titull “Personalitete të kulturës fetare e atdhetare në Tiranë”, me autor studiuesin Xhemal Balla.

Në këtë ceremoni merrnin pjesë Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra, kryetari i Komitetit Shtetëror për Kultet, Ilir Hoxholli, personalitete të shquara të jetës kulturore e shoqërore, familjarë të personaliteteve të përfshira në këtë botim, etj.

Ceremoninë e përshëndeti Myftiu i Tiranës, H. Ylli Gurra. “Në këtë libër – tha z. Gurra, – përmenden disa prej bijve të Tiranës, të cilët i kanë shërbyer dhe akoma vazhdojnë t’i shërbejnë komunitetit kryeqytetas me dijen, mundin dhe jetën e tyre, duke u përballuar me vështirësi të jashtëzakonshme dhe me sfida, të cilat, me ndihmën e Allahut, arritën t’i kalonin me sukses për të qenë simbol dhe shembull tek i cili do të mbështeten brezat e mëvonshëm të besimtarëve të qytetit të Tiranës në veçanti dhe të gjithë Shqipërisë në përgjithësi.”

Studiuesi Bledar Komini foli për vlerat që disponon kjo enciklopedi. “Vepra e dijetarëve myslimanë u la për shumë kohë në librin e harresës dhe gjatë shumë dekadave nuk u përmend asgjë nga kontributi i tyre i vyer. Por, populli nuk i harron ata njerëz që i bënë të besojnë dhe që iu qëndruan gjithmonë pranë. Kjo enciklopedi dhe ky program i sotëm është shenja konkrete e kësaj mirënjohje të thellë”, u shpreh z. Komini.

Imam Ahmed Kalaja e cilësoi këtë botim si homazh në respekt dhe nderim të figurave islame të kryeqytetit. “Ky botim është i një rëndësie të veçantë sepse na njeh me individualitetin e secilit prej këtyre personaliteteve, por edhe me përpjekjet e tyre vetëmohuese për përhapjen e Fjalës së Zotit dhe ruajtjen dhe zhvillimin e traditave të bukura islame”, u shpreh z. Kalaja.

Autori Xhemal Balla falënderoi pjesëmarrësit që iu përgjigjën ftesës për të qenë pjesë e këtij aktiviteti promovues. Ai falënderoi gjithashtu Komunitetin Mysliman, Myftininë e Tiranës, për mbështetjen dhe z. Lulzim Brahja, i cili bëri të mundur financimin e këtij libri.

Ndërsa z. Genti Kruja, drejtor i Kulturës në Komunitetin Mysliman, përcolli falënderimet në emër të institucionit për autorin Xhemal Balla, duke shpresuar që ky libër të shërbejë si pikënisje për të nxjerrë në pah figura të tjera islame dhe atdhetare në të ardhmen.

Në fund, për pjesëmarrësit u dhurua një kopje e librit.

26 Qershor 2014

ZK1A0340

ZK1A0308

ZK1A0353

ZK1A0405

ZK1A0420

 

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë