Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, Myftinia Tiranë, i është bashkuar projektit të Korpusit të Paqes “Operazione Colomba”, në një nismë për të luftuar fenomenin e gjakmarrjes në Shqipëri.
Me anë të një marshimi nga qyteti i Bajram Currit drejt Tiranës, ky projekt synoi që të sensibilizojë opinionin publik për të refuzuar këtë fenomen, i cili përbën një shqetësim serioz për disa prej zonave veriore të Shqipërisë dhe jo vetëm.
Marshimi për paqen në Shqipëri, me sloganin “Një popull lëviz për paqen, kundër gjakmarrjes”, u zhvillua prej datës 22 qershor deri më 1 korrik 2014. Ai bëri pjesë të tij institucionet publike dhe fetare, shoqërinë civile dhe organizatat joqeveritare. Qëllimi i projektit ishte ndërgjegjësimi shoqëror mbi fenomenin e gjakmarrjes dhe zbatimi i kulturës së paqes dhe faljes në shoqëri.
Marshuesit erdhën edhe para selisë së Komunitetit Mysliman të Shqipërisë duke mbajtur në duar pankarta me mesazhe të tilla si: “Thuaj Jo Gjakmarrjes”, “Një hap me ne për pajtimin”, etj. Ata u pritën nga Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra, i cili i falënderoi në emër të institucionit për këtë hap tejet pozitiv për ndërgjegjësimin e shoqërisë dhe zbutjen e këtij fenomeni negativ.
“Detyra jonë parësore si institucion besimi është edukimi i besimtarëve dhe përçimi i vlerave tek ta dhe gjithë qytetarët për farkëtimin e kulturës së paqes, si dhe të qytetarisë aktive në trajtimin e problematikave që preokupojnë individin dhe shoqërinë tonë”, u shpreh z. Gurra.
Nuk është rasti i parë që Komuniteti Mysliman i paraprin dhe bëhet pjesë e projekteve të kësaj natyre, të cilat rrisin ndjeshmërinë dhe vetëdijen kolektive mbi dukuri të mprehta sociale.
1 Korrik 2014