Kryetari i Bashkisë së Tiranës z. Lulzim Basha ka shtruar një iftar me rastin e Muajit të Madhërishëm të Ramazanit, i cili përkoi dhe me Natën e Bekuar të Kadrit.
Të ftuar të zotit Basha ishin përfaqësues të komuniteteve fetare në vendin tonë, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, përfaqësues të trupit diplomatik, e personalitete nga fusha të ndryshme.
Duke iu uruar agjërim të lehtë e të pranuar, z. Basha ka përzgjedhur disa lutje drejtuar Zotit në këtë natë, mes të cilave edhe për orientimin e drejtë të vendimmarrësve.
“T’i lutemi Zotit që të zbresë sa më shumë mençuri, sa më shumë vendosmëri, e sa më shumë dashuri në shpirtrat e gjithë shqiptarëve, e në veçanti të vendimmarrësve, e të na udhëheqë në rrugën e vendimeve të duhura e të drejta, të na heqë nga rruga e vendimeve të gabuara, e të na mundësojë në këtë mënyrë të jemi të vërtetë dhe të dobishëm në punën tonë dhe betimit tonë për t’i shërbyer njerëzve dhe këtij vendi”, tha z. Basha.
23 Korrik 2014