Universiteti Bedër në kuadër të zgjerimit të bashkëpunimeve ndërinstitucionale brenda dhe jashtë vendit nënshkroi marrëveshjen e bashkëpunimit me Ministrinë e Punëve të Brendshme të Republikës së Shqipërisë.

Marrëveshja është e firmosur nga rektori i Universitetit Bedër Dr. Ferdinand Gjana dhe Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Brendshme z. Genci Gjonçaj. Kjo marrëveshje parashikon ofrimin e bursave të studimit nga ana e universitetit për fëmijët e policëve të rënë në krye të detyrës, kontribut ky, i cili vjen në kuadër angazhimit dhe misionit të Universitetit Bedër, si një institucion që i jep rëndësi përgjegjësisë sociale për të mbështetur shtresat në nevojë.

Ndër të tjera në marrëveshje parashikohet shtrirja e bashkëpunimit në fushën e edukimit të stafit të ministrisë dhe gjithë institucioneve në varësi të saj sipas programeve të masterit, që ofron universiteti, trajnimin profesional dhe programet e praktikave studentore për studentët e Universitetit Bedër në institucionet në varësi të ministrisë.

Ndërsa nga ana e saj Ministria e Punëve të Brendshme në bazë të mundësive dhe kapaciteteve, do të ofrojë mundësi për zhvillimin e praktikave mësimore për studentët e Universitetit Bedër.

Gjithashtu palët marrin përsipër që të mundësojnë shkëmbimin e eksperiencave midis stafeve respektive, duke organizuar aktivitete të tilla si: forume të hapura, fushata sensibilizuese, seminare, konferenca, etj.

10506596_905297546151558_4155358087150626150_o

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë