Vehbi Sulejman GavociNë orët e para të mbrëmjes së 19 shkurtit 2013, ndërroi jetë në Emiratet e Bashkuara Arabe, dijetari i madh islam shqiptar, H. Vehbi Sulejman Gavoçi, në moshën 90 vjeçare.

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë shpreh hidhërimin e thellë për këtë humbje të ndjeshme të kulturës shqiptare dhe asaj islame në veçanti duke e përcjellë për në banesën e përkohshme me versetin kuranor: “Jemi të Zotit e tek Ai do të kthehemi!”

 

Vehbi Sulejman Gavoçi, lindi në qershor të viti 1923, në lagjen Garuc, të Shkodrës.
Në qershor të vitit 1937, i ati H. Sulejman Gavoçi, së bashku me vëllanë e tij Shejh Muhamedin dhe familjet e tyre emigruan në Damask të Sirisë.

Në moshën trembëdhjetë vjeçare, i ati e dërgoi në Egjipt që të kryente shkollën dhe studimet në Ez’her, shkolla më e mirë e botës islame në atë kohë. Pas dhjetë viteve qëndrim në Egjipt kreu fakultetin e sheriatit (kul-lijjetush- sheriah) dhe dy vite për drejtësi.
Në vitin 1947, pas dhjetë viteve studime, u kthye në Siri. U emërua si mësues i lëndëve fetare në Halep (Aleppo), 450 km larg Damaskut, ku kaloi tre vite.

Duke treguar mbi mallin dhe lidhjen e tij me vendlindjen dhe hallet e Shqipërisë në kohët më të errëta të historisë së saj kombëtare, ai shkruan: “Jam munduar të bashkëpunoj me disa njerëz, për të shkruar sadopak në të mirën e fesë. Ndër artikujt e parë që kam shkruar është edhe “Asal- xhenneh” – (Shkopi i xhenetit), ku kam shkruar për Shqipërinë, vuajtjet që keni pësuar ju, vëllezërit e mi, pas vitit 1944. I pari artikull i imi ka qenë për ju, për vendin tim. Pastaj, shumë kam shkruar për Shqipërinë nëpër revista, gazeta apo libra dhe jam munduar që të mos e harroj vendin tim, që më ka bërë nder të madh. Këtë e kam bërë që t’ia kthej atë nder të madh vendit tim me plot respekt.

Në vitin 1966, shkon në Arabinë Saudite, ku ftohet për të dhënë mësim në një kolegj islam. Atje kalon gjashtë vite, konkretisht, një vit në Rijad e pesë vite në Medine. Pas qëndrimit në viset e shenjta kthehet përsëri në Siri, ku vazhdon profesionin 1980. Në vitin 1980 del në pension dhe shkon përsëri në Medine, ku qëndron edhe tre vite të tjera. Pastaj shkon në Amman (Kryeqytet i Jordanisë), ku qëndron dy vite, duke dhënë mësime nëpër xhamia e shkolla private. Në vitin 1988 shkon në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku ftohet për hapjen e një Universiteti të ri islam. Atje jep mësime për 14 vite me radhë.

Është autor i dhjetëra veprave me vlerë shkencore e fetare, në gjuhën shqipe dhe arabe. Librat e tij janë përkthyer edhe në gjuhë të ndryshme të botës.

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë