Haxhinjtë shqiptarë kanë kryer me sukses Umren, ndërkohë që tashmë kanë filluar ligjëratat nga grupi i teologëve deri në fillimin e ritualit të Haxhit, më 2 tetor 2014.
Sipas një programi të paracaktuar nga KMSH, myftinj, imamë e teologë, të cilët shoqërojnë haxhinjtë, u mbajnë atyre ligjërata të ndryshme mbi islamin, mirësitë e besimit dhe dashurinë për Allahun.
Çdo ditë pas namazit të drekës, mbahen biseda dhe jepen orientime, në mënyrë që ata të jenë sa më të përgatitur, si nga ana e njohurive, ashtu edhe nga ana shpirtërore, për të kryer një ritual sa më të plotë dhe që të jetë i pranuar te Zoti.
Umreja është vizita në vendet e shenjta, e cila në ndryshim nga haxhi nuk është obligim, por që është e pëlqyeshme dhe një praktikë e ndjekur nga profeti Muhamed. Umreja gjithashtu mund të kryhet në çdo periudhë të vitit, ndërsa për haxhinjtë shqiptarë është kthyer në traditë tashmë që ritualin e Umres e kryejnë disa ditë përpara fillimit të Haxhit.