ZK1A0449

Medresistë të Tiranës, të periudhës 1944-1964, janë mbledhur së bashku për të takuar njëri-tjetrin, por edhe për të kujtuar kohët e kaluara gjatë shkollimit të tyre. Ideja e z. Ismail Dizdari dhe z. Xhemal Balla, e mbështetur nga Komuniteti Mysliman, ka gjetur miratimin e shumë prej veteranëve të kësaj shkolle dhe prandaj ata janë mbledhur ditën e shtunë, datë 27 shtator, në xhaminë e Ethem Beut në Tiranë.

Ismail Dizdari, një nga nismëtarët e kësaj ideje, pasi falënderoi pjesëmarrësit, u shpreh: “Të jesh sërish së bashku pas shumë vitesh, sigurisht që krijon emocione. Falënderoj djalin e mikut tim Sabri Hysa, Altinin, që na mblodhi për të kujtuar babanë e tij, si dhe për të ndarë me njëri-tjetrin mbresa e kujtime që kemi skalitur në kujtesë për shkollën, mësuesin dhe njëri-tjetrin. Na mungojnë shumë emra të tjerë, por gjithsesi ky takim ia vlejti.”

Fjalën më pas e mori studiuesi Xhemal Balla, i cili solli në vëmendje disa nga etapat historike të Medresesë jo vetëm si institucion arsimor, por edhe si vatër patriotizmi dhe atdhetarie. Në vijim z. Balla kujtoi me respekt figurën e të ndjerit H. Sabri Hysa, si mësues dhe imam për punën vetëmohuese dhe përkushtimin e treguar në shërbim të Islamit dhe edukimin e gjeneratave me frymën e besimit.

Të pranishmit i përshëndeti Myftiu i Tiranës, H. Ylli Gurra, i cili vlerësoi rolin dhe kontributin e tyre të çmuar, duke theksuar se medresistët janë dalluar për angazhim të plotë kudo që kanë shërbyer dhe në sytë e njerëzve kanë qenë shembulli i moralit dhe edukatës së mirë.

Ceremonia u mbyll me një lutje për të ndjerin H. Sabri Hysa, si dhe për të gjithë ata dijetarë, mësues e medresistë, pjesë e kësaj shkolle elitare, të cilët janë ndarë nga jeta.

Për pjesëmarrësit ishte menduar një drekë e përbashkët në shoqërinë e Kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Skender Bruçaj. Në fjalën e tij përshëndetëse, z. Bruçaj vlerësoi lart punën dhe kontributin e medresistëve ndër vite në të mirë të Islamit dhe në interes të çështjes shoqërore e kombëtare. “Jam shumë i lumtur që gjendem mes jush dhe që më jepet rasti t’ju shpreh respektin dhe vlerësimin tim për shërbimet dhe sakrificat tuaja tepër çmuara. Edhe pse vuajtët dhe hoqët shumë, ju kurrë nuk e harruat  misionin e kësaj shkolle, duke përçuar te njerëzit të vërtetën e besimit dhe traditat e bukura islame. Për këtë myslimanët dhe shqiptarët do t’ju jenë gjithmonë mirënjohës”, tha z. Bruçaj.

Pjesëmarrësit i përshëndetën edhe kryetari i nderit i Komunitetit Mysliman, H. Selim Muça, kryetari i Komitetit Shtetëror për Kultet, z. Ilir Hoxholli, Myftiu i Tiranës Ylli Gurra dhe rektori i Universitetit Bedër, z. Ferdinand Gjana.

Medresistët e Tiranës (sidomos ata të periudhës 1944-1964), mundën të ushtronin për pak kohë detyrën e predikuesit fetar. Vendosja e regjimit komunist kufizoi gradualisht, deri në eliminimin e plotë juridik, rolin e fesë në shoqërinë shqiptare. Në pamundësi për t’i shërbyer fesë, ata iu drejtuan profesioneve të ndryshme. Shumë prej tyre u bënë mësues, sepse në medrese ata mësuan se të kërkosh dituritë është detyrë e domosdoshme, se është detyrë të mësosh vetë dhe atë çfarë di t’ua mësosh të tjerëve. Në vitet ’90, atyre iu dha rasti që të angazhoheshin edhe në jetën fetare islame. Shumë prej tyre vazhdojnë të shërbejnë akoma duke u angazhuar si myftinj, imamë apo si predikues fetarë.

Ngjarjet e shënuara në jetën e një institucioni janë të tilla, jo vetëm pse e kanë forcuar e kompaktësuar atë, por edhe sepse ndikimi frymëzues i tyre shtrihet te brezat në kohë. Përkujtimi i tyre, më e pakta, është shprehje e njohjes së këtyre vlerave. Prandaj, ky takim, ndër të tjera, shërbeu edhe si një moment reflektimi e vlerësimi për atë që dha kjo shkollë në aspektin arsimor, kombëtar e fetar.

ZK1A0019 ZK1A0110 ZK1A0133 ZK1A0403 ZK1A0194

 

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë