Ka nisur mbrëmë, pas namazit të akshamit në Xhaminë e Et’hem Beut, sezoni i dytë i mbrëmjeve fetare “Frytet e Besimit”, ku dhjetëra besimtarë myslimanë janë mbledhur për të mësuar apo rikujtuar diçka më shumë rreth fesë së tyre.

Në fjalën e hapjes, Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Skender Bruçaj, përshëndeti rifillimin e “Fryteve të Besimit” dhe uroi një sezon të mbarë dhe sa më të vlefshëm për besimtarët.

“Një besimtar i mirë është një qytetar i mirë” ishte tema e trajtuar nga Nënkryetari i KMSH-së Ali Zaimi dhe Drejtori i Thirrjes në Islam Elvis Naçi.

“Besimtari mysliman është i obliguar që së bashku me devotshmërinë ndaj Zotit, të jetë në shërbim të njerëzve. Besimtari duhet të jetë simbol i sigurisë, i paqes, i përkrahjes dhe vlerave tashmë të pranuara universale. Një besimtar i mirë është njëkohësisht një qytetar shembullor”, tha ndër të tjera z. Zaimi.

Ndërsa Naçi u shpreh se një aspekt i  rëndësishëm i normave islame është rregullimi që i bën marrëdhënieve tona me njëri-tjetrin. “Në këshillat e urta të profetit tonë të dashur ne gjejmë mënyrën e të qënit besimtarë dhe qytetarë shembullorë”, tha z. Naçi.

Gjithashtu kjo mbrëmje fetare u shoqërua edhe me këndim Kurani nga Elton Karaj, Imam i Xhamisë së Et’hem Beut, si dhe me këndimin e ilahive nga Muhsin Kara.

Në fund të programit u shpërndanë hurma arabie dhe ujë zemzemi.

Programet “Frytet e Besimit” do të vazhdojnë për çdo të martë në një nga xhamitë e Tiranës dhe për çdo të enjte në një nga xhamitë e rretheve, pas namazit të akshamit.

29 Tetor 2014

 frytet e e besimit ethem beu (1) frytet e e besimit ethem beu (2)  frytet e e besimit ethem beu (4)frytet e e besimit ethem beu (3) frytet e e besimit ethem beu (5)

 

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë