Sot në ditën e premte (Xhuma), dita më e madhe e javës për besimtarët myslimanë, përveç faljes është zhvilluar dhe një aksion për dhurim gjaku për fëmijët talasemikë.
Imami Xhamisë “Dine Hoxha”, Ahmed Kalaja, gjatë ligjëratës së tij, shprehu nevojën që kanë këta fëmijë kanë për dhurim gjaku, duke e mbështetur në thënien Kuranore: “Kush shpëton një jetë sikur të ketë shpëtuar gjithë njerëzimin…”.
Kjo nismë është nisur në të gjithë xhamitë e Tiranës, si nismë e Komunitetit Mysliman dhe pritet të shtrihet më gjerë.
Qindra besimtarë i janë përgjigjur kësaj thirrje për t’u ardhur në ndihmë fëmijëve talasemikë.
Rreth 60 besimtarë dhuruan gjak sot dhe pritet që të premtet e ardhshme numri i tyre të shtohet. Veprimi i tyre është vlerësuar shumë nga Qendra e Dhurimit të Gjakut, duke u shprehur se kjo është një ndihmë e rëndësishme që jepet për jetën e këtyre fëmijëve.
Nuk është hera e parë që komunitetet fetare kanë ofruar bashkëpunim të ngushtë me qendrat e dhurimit të gjakut, ndërsa kjo fushatë është ndërmarrë nga Komuniteti Mysliman në Bashkëpunim me Kryqin e Kuq Shqiptar.
14 Nëntor 2014