Me rastin e festave të Nëntorit, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë (Zyra e Gruas), organizoi programin “Gruaja shqiptare ndër shekuj”, ku u evidentua roli dhe kontributi i gruas shqiptare në periudha të ndryshme të historisë.
Nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Ali Zaimi, u shpreh se gruaja shqiptare në periudha të ndryshme historike ka treguar që, në momente vendimtare, ka qenë pjesë e rëndësishme e ngjarjeve të mëdha kombëtare. Ajo ka kontribuar në përpjekjet për liri e pavarësi, në arsim e kulturë, si dhe në të gjitha sferat e jetës sonë shoqërore.
“Dua të theksoj faktin që Feja Islame, sikurse ndonjëherë padrejtësisht pretendohet, nuk e pengon gruan që të jetë pjesë aktive e jetës shoqërore, duke marrë përsipër të gjitha detyrat drejtuese që edhe burrat marrin. Madje Islami i inkurajon gratë, që në përshtatje edhe me natyrën, delikatesën dhe brishtësinë shpirtërore që i karakterizon, të luajnë rol sa më aktiv në zhvillimin e shoqërisë”, nënvizoi Zaimi.
Ndërsa Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, znj. Nevila Xhindi, u shpreh se gruaja është një forcë e madhe e kombit dhe shoqërisë. Ajo gjithashtu vlerësoi Zyrën e Gruas në Komunitetin Mysliman për organizime të tilla të herëpashershme që, sipas saj, janë një kontribut i vyer në dëgjimin e zërit të femrës shqiptare.
Programi u hap me këndimin e himnit kombëtar si dhe me shfaqjen e një dokumentari të shkurtër mbi rolin dhe kontributin e gruas shqiptare ndër shekuj, ku në rrethana të ndryshme kohore, dolën personalitete të shquara, veprat e të cilave tejkaluan kufijtë kombëtarë e botërorë, ku gruaja tregoi se ka të njëjtin potencial intelektual e profesional me gjininë tjetër, duke vijuar më pas me kumtesat: Roli dhe kontributi i gruas shqiptare nga Dr. Brikena Smajli, Pedagoge; Modeli i gruas ideale (myslimane shqiptare), Fatma Karaj, Përgjegjëse e Zyrës së Gruas – KMSH; Gjurmë qytetërimesh të ndryshme në veshjet popullore shqiptare nga Afërdita Onuzi, Etnografe.
Programi i cili u zhvillua në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, u mbyll me një program artistik nga vajzat e Medresesë së Tiranës dhe një sfilatë me kostumet popullore shqiptare.
I pranishëm në aktivitet ishte edhe Kancelari i KMSH-së Ylli Cikalleshi, përfaqësues të pushtetit qendrorë, dhe atij lokal, deputete, përfaqësuese nga trupi diplomatik në Tiranë si dhe personalitete të shumtë të kulturës dhe artit.
Për të pranishmit u shtrua edhe një koktej.
24 Nëntor 2014