Në kuadër të përvjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, Qendra për Studime Islame në Universitetin “Hëna e Plotë”- Bedër organizoi simpoziumin “Patriotizmi në Islam.
I pranishëm në këtë simpozium ishte edhe drejtori i Kulturës në Komunitetin Mysliman, Genti Kruja, i cili foli mbi kontributin e prijësve myslimanë në çështjen kombëtare.
Ai u shpreh se përgjatë historisë Shqipëria ka qenë një shembull se si njerëzit e fesë kanë ditur të zgjidhin saktë marrëdhëniet e besimit me kombin.
“Qindra dijetarë myslimanë, kanë dhënë kontributin e tyre të pazëvendësueshëm në historinë e vendit tonë, në lëvizjet e mëdha kombëtare për liri e pavarësi, për arsimim dhe aspirata në ndërtimin e identitetit kombëtar, ruajtjes së vlerave universale islame dhe trashëgimisë së madhe kulturore, të harmonisë dhe bashkëjetesës ndërfetare te shqiptarët”, nënvizoi z. Kruja.
Ndërsa teologu Veton Tulla, pedagog në Fakultetin e Shkencave Islame në Universitetin Bedër, u shpreh se lidhja e njeriut me atdheun dhe vendin e tij, është një çështje e rrënjosur thellë në shpirt.
“Dashuria për atdheun është instinkt i mbjellë në shpirtra, i cili e bën të qetë njeriun kur qëndron në të dhe mallëngjehet për të kur është jashtë dhe larg tij. Atdheu është vendlindja, është vendi i jetës, vendi i adhurimit, vendi i pasurisë dhe mallit, vendi i krenarisë; aty jeton, aty Allahun e adhuron, dhe nga mirësitë e Tij jeton”, theksoi z. Tulla.
Simpoziumi u moderua nga Elton Karaj, pedagog në Universitetin Bedër.
3 Nëntor 2014