Cikli i programeve fetare nëpër xhamitë e vendit, “Frytet e Besimit”, është ndalur së fundmi edhe në Xhaminë e Sarandës.
Nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Ali Zaimi, i pranishëm në këtë aktivitet, foli mbi botën e përtejme dhe ringjalljen.
“Njeriu ka nevojë për ushqim shpirtëror, për ushqimin e zemrës, ka nevojë të pijë në burimin e pashtershëm të besimit. Nëse nuk do të besonim në ringjalljen, zemrat do të pikëlloheshin do të binin në pesimizëm e asgjë e mirë nuk vjen nga kjo ndjenjë. Njeriu bëhet gati për në jetën tjetër dhe kështu nxiton në adhurim dhe në kryerjen e obligimeve që Kurani na obligon dhe atyre që Profeti Muhamed a.s., na ka lënë si trashëgim”, nënvizoi nënkryetari Zaimi.
Gjithashtu ai bëri thirrje që t’u tregojmë të tjerëve rrugën e besimit. “Çdo kush e ka nevojë të brendshme që ta gjejë dhe të ecë në këtë rrugë, në rrugën e besimit. Në këto kushte përgjegjësia bie mbi ne, që t’ia tregojmë atë, t’i tregojmë bukuritë e botës për përjetshme dhe kënaqësitë e pashtershme të saj”, tha z. Zaimi.
Ndërsa Kryevaizi i KMSH-së H. Lauren Luli u shpreh se njeriu përveç plotësimit të nevojave fizike ka nevojë edhe për besimin, dhe siç tha ai, kjo është më e rëndësishme, pasi besimi është forca dhe burimi i energjisë pozitive për çdo njeri.
“Përmes besimit njeriu arrin të fitojë kënaqësinë e Allahut, dhe gjë më të madhe dhe më të mirë se kjo nuk ka. Ndaj le të ecim në rrugën e besimit, e të ftojmë në këtë rrugë edhe ata që na rrethojnë”, tha z. Luli.
Ndërsa Myftiu i Sarandës, Bledar Mullai, u shpreh se, askush prej nesh nuk është prefekt dhe askush nuk e pretendon këtë, por misioni ynë varet nga puna që ne bëjmë dhe nga lutjet e besimtarëve që ta çojmë këtë mision dhe obligim fetar përpara.
20 Dhjetor 2014