Universiteti “Hëna e Plotë” (Bedër) është gjendur pranë fëmijëve të ngujuar si pasojë e fenomenit të gjakmarrjes.
Projekti “Edukim në strehëzën tënde”, i iniciuar në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, synon t’u ofrojë mundësinë e shkollimit të gjithë këtyre fëmijëve që e kanë të pamundur frekuentimin e shkollës njësoj si bashkëmoshatarët e tyre.
Bedër ofroi infrastrukturën kompjuterike dhe materialet e tjera që do të përdoren nga fëmijët për të marrë njohuritë, sipas kurrikulës së miratuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit. Ndërsa kompania angleze “Schoolme” ofroi programimim kompjuterik, që bën të mundur ndjekjen e orëve të mësimit nëpërmjet kompjuterit.
Gjatë ceremonisë së zhvilluar me këtë rast, në qytetin e Shkodrës u bë prezantimi i projektit, si dhe u ndanë kompjuterët e ofruar nga Universiteti Bedër, së bashku me librat që ishin kontribut i studentëve të këtij universiteti.
Ceremonisë së prezantimit të projektit i parapriu një program kulturor i përgatitur nga Qendra Kulturore e Fëmijëve të Shkodrës. Në fjalën e saj me këtë rast, Ministrja e Arsimit, znj. Lindita Nikolla, shprehu falënderimin për aktorët që bënë të mundur këtë projekt. Ajo u ndal në rëndësinë që ka edukimi i këtyre fëmijëve dhe mbështetja që duhet dhënë për të lehtësuar sadopak dhimbjen që u shkakton ngujimi nga fenomeni i gjakmarrjes.
“Unë falënderoj Universitetin “Hëna e Plotë” (Bedër) për mbështetjen që jep, duke ofruar kompjuterët për këta fëmijë, gjithashtu edhe “Schoolme” për mundësimin në format elektronik të kurrikulës. Ne do të luftojmë deri në fund për ta ngujuar gjakmarrjen, në mënyrë që ajo të mos na ngujojë fëmijët tanë”, përfundoi fjalën e saj znj. Nikolla.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin dhjetëra qytetarë, përfaqësues të institucioneve të ndryshme, si dhe media të shumta.
26 Dhjetor 2014