Në kuadër të projektit “Promovimi i vlerave demokratike dhe qytetarësisë aktive mes të rinjve”, është zhvilluar më 27 dhjetor 2014, në ambientet e medresesë së Tiranës, seminari mbi promovimin e këtyre vlerave, me të rinjtë e Yrshekut dhe Paskuqanit.
Nënkryetari i Komunitetit Mysliman, Ali Zaimi, dhe Kancelari, Ylli Cikalleshi, referuesit e këtij seminari, shpjeguan rëndësinë dhe vlerat e demokracisë.
Nënkryetari Zaimi u shpreh se, të drejtat e njeriut, si e drejta për t’u informuar, pjesëmarrja aktive, e drejta për të zgjedhur e për t’u zgjedhur, liria e fjalës dhe veprimit, janë disa prej vlerave më të rëndësishme të demokracisë, ku njerëzit lindin dhe janë të barabartë mes tyre.
“Këto seminare që Komuniteti Mysliman po organizon me mbështetjen e ambasadës amerikane, janë një hap konkret drejt qytetarisë aktive. Për të qenë qytetarë të denjë dhe për t’i shërbyer shoqërisë dhe vendit ku ne jetojmë duhet të njohim së pari vlerat e demokracisë e më pas t’i zbatojmë ato, e madje të jemi aktivë në implementimin e tyre në jetën tonë. E ardhmja e kombit tonë, jeni ju, rinia dhe grupmosha juaj duhet t’i njohë më së miri këto vlera universale”, tha ndër të tjera z. Zaimi.
Ndërsa Kancelari Cikalleshi, nënvizoi faktin se qytetar i mirë do të thotë ai që i di mirë të drejtat dhe përgjegjësitë e veta dhe mund të bëhet shkak për shmangien e shumë gjërave negative për shoqërinë.
“Të drejtat e njeriut si pjesë themelore të demokracisë janë edhe themeli i lirisë, paqes dhe drejtësisë për vendosjen e mirëqenies së përbashkët. Njerëzit duhet të jenë të lirë të shpalosin veten e tyre me të drejtat e plota. Çdo njeri jeton me dinjitetin që atë e përfaqëson dhe kjo e dallon atë nga qeniet e tjera”, tha më tej z. Cikalleshi.
I pranishëm në seminar ishte edhe Menaxheri i Projektit Fejzi Shaholli si dhe dy asistentët Oltion Kola dhe Lauren Luli.
Projekti “Promovimi i vlerave demokratike dhe qytetarësisë aktive mes të rinjve”, i cili organizohet nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë me mbështetjen e ambasadës amerikane, ka filluar që para tre muajsh, ku janë organizuar aktivitete të ndryshme sportive e kulturore me të rinjtë e disa zonave të Tiranës.
Qëllimi i këtij projekti është që të promovojë vlerat demokratike dhe qytetarisë aktive në mesin e të rinjve myslimane në rrethinat e Tiranës. Nëpërmjet një seri seminaresh, workshop-esh dhe aktivitetesh sociale e kulturore, ky projekt aspiron të ofrojë njohuri mbi parimet demokratike, të drejtat e njeriut, detyrat dhe përgjegjësitë qytetare, dhe mbi tolerancën dhe mirëkuptimin e ndërsjellë midis të rinjve.