Paraditen 31 janarit 2015, u zhvillua në Paskuqan seminari i radhës mbi sensibilizimin, informimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, me të rinjtë e kësaj zone.
Seminari filloi me pyetje nga seminaret e kaluara, ku të rinjtë folën mbi lirinë e shprehjes, të drejtën për të votuar dhe për të qenë aktivë, si dhe mbi lirinë e besimit.
Nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë z. Ali Zaimi, i pranishëm në këtë seminar e vuri theksin mbi respektin ndaj njeriut dhe dinjitetit të tij, duke e mbrojtur me anë të instrumenteve të ligjshëm. “Rastet e shkeljes së të drejtave të njeriut duhet të zgjidhen mbi normat e njohura legjitime, sepse vetëgjyqësia shkakton kaos dhe anarki”, nënvizoi z. Zaimi.
Ai më tej shtoi se një pjesë e mirë e të drejtave që ne gëzojmë sot, burojnë edhe prej të drejtave themelore të besimit.
“Të gjitha fetë abrahamike, e veçanërisht Islami, kanë në themel të tyre barazinë mes njerëzve. Të gjithë janë të barabartë përpara Zotit dhe meritojnë kushte të barabarta.”, tha ai.
Ndërkohë, në hapjen e seminarit, Përgjegjësi i Projektit për këtë zonë, Oltion Kola, theksoi rëndësinë e trajnimeve të tilla.
“Të përfitojmë sot sa më shumë nga këto seminare mbi normat morale e ligjore, mbi vlerat dhe të drejtat universale të njeriut, në mënyrë që të jemi qytetarë model, dhe të denjë për një Shqipëri europiane”, tha ai.
Në këtë seminar morën pjesë rreth 100 nxënës nga shkollat 9-vjeçare “Lidhja e Prizrenit”, “Jashar Hoxha”, “Tahir Sinani” dhe gjimnazi “Isa Boletini”.