Myftinia Shkodër në bashkëpunim me Këshillin e Bashkësisë Islame të Prizrenit, organizoi më 9 shkurt 2015, një aktivitet fetar në kuadër të përkujtimit të mesazhit universal dhe dërgesës profetike të Hz. Muhamedit a.s.
Si një aktivitet i përvitshëm, që organizohet nga Myftinia Shkodër, këtë vit ishte menduar që në skenën e teatrit “Migjeni”, të sillet modeli i Mevludit të Prizrenit.
Në fjalën e tij përshëndetëse, nënkryetari i KMSh-së, përcolli edhe përshëndetjet e Kryetarit Skender Bruçaj, duke theksuar se këto aktivitete janë një shembull i mirë në rrugën e gjallërimit të jetës fetare në vendin tonë.
Nënkryetari Spahiu foli edhe për rëndësinë që ka përkujtimi i jetës dhe mesazhit universal të Hz. Muhamedit a.s., si modeli i dijes, përparimit dhe organizimit shoqëror nën dritën e bekimeve hyjnore, vëllazërisë dhe harmonisë në mesin e krijesave të Zotit.
Të pranishmit u përshëndetën edhe nga Myftiu i Zonës Shkodër, Muhamed Sytari dhe Kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit, z. Lutfi ef. Ballek.
Aktiviteti kulmoi me shfaqjen e bukur të grupit të gjashtë hafizëve nga Prizreni, nën drejtimin e Kryeimamit Ali Vezaj, me këndimin e pjesëve të përzgjedhura nga “Mevludi” i Tahir Popovës, salavateve dhe lutjeve, që dhuruan emocione dhe lot malli në mesin e të pranishëmve të shumtë, që kishin mbushur sallën.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin edhe Kryeimami i Ulqinit, Ali ef. Bardhi, Drejtori i Kabinetit në KMSh, Oltion Kola, Kryetari i Këshillit të Qarkut Shkodër, Maxhid Cungu, drejtues të medresesë “Haxhi Sheh Shamia”, drejtues të shoqatave të ndryshme bamirëse islame, që operojnë në Shkodër, pedagogë të Universitetit, antarë të Këshillit të Bashkisë Shkodër etj.
9 Shkurt 2015