Komuniteti Mysliman ka dorëzuar disa qindra pako me ushqime në ndihmë të familjeve të përmbytura në jug të vendit, kontribut i besimtarëve myslimanë shqiptarë.
Nënkryetari i Komunitetit Mysliman, z. Bujar Spahiu, i pranishëm në dorëzimin e ndihmave, shprehu falënderimin për të gjithë ata besimtarë nga e gjithë Shqipëria, të cilët iu bashkuan thirrjes së institucionit, duke dëshmuar një frymë të lartë humanizmi e solidariteti.
“Falënderoj besimtarët që iu bashkuan kësaj nisme shoqërisht të dobishme, të nxitur nga thirrja e Zotit në Kur’an: “Bashkëpunoni në të mira e devotshmëri” dhe porosia profetike: “Zoti është në ndihmë të robit përderisa ky është në ndihmë të vëllait të vet”, u shpreh z. Spahiu. Ai shtoi gjithashtu se në këtë moment, kur këta banorë nuk kanë pothuajse asgjë, çdo ndihmë është e rëndësishme.
Ndërsa z. Ilir Hoxholli, kryetar i Komitetit Shtetëror për Kultet, falënderoi Komunitetin Mysliman të Shqipërisë por edhe komunitetet e tjera fetare, të cilat janë gjendur pranë këtyre familjeve që në momentet e para të përmbytjes.
Të pranishëm gjatë dorëzimit të ndihmave ishin edhe kancelari i Komunitetit Mysliman, Ylli Cikalleshi dhe drejtori për Çështjet Sociale, Edvin Kuçi.
11 Shkurt 2015