Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Skender Bruçaj, priti në një takim ambasadorin e ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë, z. Donald Lu.
Kryetari Bruçaj e falënderoi ambasadorin Lu për vizitën dhe i uroi suksese në misionin e tij në Shqipëri. Ai tha se shqiptarët janë mirënjohës ndaj Shteteve të Bashkuara për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme.
Në vijim z. Bruçaj e njohu ambasadorin Lu me historikun e KMSH-së, ecurinë e tij gjatë këtyre dy dekadave, si dhe kontributin e tij në edukimin e shoqërisë me vlerat e moralit dhe frymën e fesë islame. Ai falënderoi po ashtu ambasadën e SHBA-së në Shqipëri për bashkëpunimin e ofruar në projektin “Promovimi i vlerave të demokracisë dhe qytetarisë aktive”, organizuar me të rinjtë e rrethit të Tiranës.
Ambasadori Lu falënderoi z. Bruçaj për mikpritjen dhe shprehu konsideratën e tij të lartë për atë çka institucioni ofron për besimtarët dhe shoqërinë shqiptare. Ai e vuri theksin në rolin e myslimanëve shqiptarë në ruajtjen e bashkëjetesës ndërfetare në vend, të cilën e sheh si një pasuri të rrallë dhe me vlera të jashtëzakonshme.
“Roli i myslimanëve shqiptarë në ruajtjen e tolerancës dhe bashkëjetesës ndërfetare ka qenë dhe vazhdon të jetë i një rëndësie të veçantë, duke manifestuar kështu vlerat e fesë islame, që janë njëherësh edhe pjesë e tërësisë së vlerave të shoqërisë shqiptare”, u shpreh z. Lu.
Gjatë takimit u fol edhe për rritjen dhe thellimin e bashkëpunimit me interes reciprok.
11 Shkurt 2015