Nënkryetari Komunitetit Mysliman, z. Ali Zaimi, i shoqëruar edhe nga drejtori i Arsimit, z. Astrit Zharri, priti në një takim drejtuesit e medreseve në vend.
Në takim u diskutua rreth realizimit të praktikave të reja mësimore në favor të përmirësimit të nivelit të mësimdhënies në këto shkolla.
Nënkryetari Zaimi pasi shprehu mirënjohjen dhe vlerësimin për punën e shkëlqyer në fushën e arsimit shqiptar të medreseve, nënvizoi faktin se përpjekjet në arsim nuk kanë dhe nuk duhet të kenë kufi.
“Përpjekjet për përmirësimin e arsimit në vend nuk duhet të kenë kufi, por duhet të jenë në progres të vazhdueshëm. Përmes një arsimimi sa më cilësor dhe me nivel të lartë do të mund të kemi një të ardhme më të mirë si shoqëri, pasi themeli i suksesit të një shoqërie është përgatitja intelektuale, arsimi”, nënvizoi z. Zaimi.
Ndërsa drejtori i Arsimit, z. Zharri, foli rreth projekteve të përbashkëta mes medreseve dhe Komunitetit Mysliman.
Drejtuesit e medreseve prezantuan aktivitetet dhe sukseset e institucioneve përkatëse si dhe folën mbi problematikat që ato hasin çdo ditë gjatë punës.
Kryetari i KMSH-së z. Skender Bruçaj shtroi drekë për nder të të ftuarve.