Dy javët e para të marsit janë mbajtur hytbe dhe vaze (ligjërata) në Korçë, Fier si dhe në Xhaminë e Selitës në Tiranë.

Nënkryetari i Komunitetit Mysliman, z. Bujar Spahiu, në hytben e mbajtur në xhaminë qendrore në Fier, u bëri thirrje besimtarëve që të jenë prej atij grupi njerëzish që ftojnë në të mirë dhe largojnë nga e keqja dhe që përçojnë mesazhin e Islamit për njerëzit.

“Feja inkurajon dhe synon gjithmonë t’i ofrojë njerëzit drejt së vërtetës, për të mirën e kësaj bote dhe atë të përhershme”, tha z. Spahiu.

Nënkryetari Ali Zaimi, në xhaminë e Selitës në Tiranë, u ndal në rëndësinë dhe vlerën e namazit.

“Namazi është përfaqësuesi më i rëndësishëm i falënderimit dhe adhurimit ndaj Zotit. Me anë të namazit njeriu i përulet Krijuesit me respekt dhe përgjërim”, u shpreh z. Zaimi.

Ndërsa kryevaizi Lauren Luli, në predikimin e tij në xhaminë e Medresesë së Korçës, vlerësoi se, në çdo aspekt, besimi është shpëtim për njerëzimin.

“Besimi ka zgjidhur problemet më të mëdha të shoqërisë dhe ka qenë ilaç për çdo sëmundje. Ndaj edhe sot, besimi është adresa e duhur për të zgjidhur problemet me të cilat përballemi”, tha z. Luli.

Gjatë vizitës në Fier, nënkryetari Bujar Spahiu dhe kryevaizi Lauren Luli, kanë zhvilluar edhe një takim me myftiun e Fierit, z. Karafil Manaj, ku kanë diskutuar mbi veprimtarinë e institucionit dhe sfidat e hasura prej tij.

hytbet (6)hytbet (2)hytbet (1)hytbet (3)hytbet (4)hytbet (5)

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë