Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, Universiteti Bedër, në bashkëpunim me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara, Delegacionin e Komisionit Evropian, organizuan më 20 mars 2015, konferencën ndërkombëtare me titull: “Islami dhe Paqja Globale”.
Qëllimi i kësaj konference ishte dhënia e një kontributi në përmirësimin e klimës së paqes globale, duke ofruar kështu një mjet për shkëmbimin e informacionit dhe një platformë ku studiues nga vende dhe kultura të ndryshme të diskutojnë me fokus kryesor parandalimin dhe trajtimin e problemeve që cenojnë paqen globale, si dhe edukimin me vlerat e respektit dhe pranimit të njëri-tjetrit.
Kryetari i Komunitetit Mysliman, z. Skender Bruçaj, në fjalën e tij përshëndetëse u shpreh: “Praktika fetare tradicionale e Islamit në Shqipëri, është mënyra më gjithëpërfshirëse larg instrumentalizimit, ndjekëse korrekte e parimeve burimore, e cila injekton dëshirën për të dialoguar me gjithkënd, duke respektuar gjithsecilin në pozicionin e vet. Shpeshherë autorë të ndryshëm këtë e quajnë “Islami shqiptar”, por kjo mënyrë e të jetuarit të Islamit, është vetë Islami burimor”.
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Bujar Nishani, theksoi se shqiptarët e të gjitha besimeve bashkëjetojnë prej shekujsh në paqe, harmoni dhe respekt të ndërsjellë, duke u bërë model dhe shembull frymëzues edhe për shoqëri të tjera.
“Modeli shqiptar i bashkëjetesës fetare dhe i pranimit të tjetrit ndryshe, na frymëzon në vizionin tonë për një botë të paqtë, ku racat, fetë, kulturat, të gjithë njerëzit, bashkëjetojnë në harmoni”, u shpreh z. Nishani.
Ambasadori amerikan, z. Donald Lu, pasi përgëzoi Komunitetin Mysliman për organizmin e kësaj konference, theksoi se, në kushtet ku jetojmë, është e domosdoshme harmonia dhe respekti midis njerëzve dhe fetarët mund të ofrojnë shumë në këtë aspekt.
“Sot, bota kërcënohet nga ata që e bëjnë urrejtje fenë e tyre, nën petkun e Islamit. Unë e përgëzoj punën tuaj të palodhur për t’u siguruar që zërat tuaj, që këshillojnë paqen dhe mirëkuptimin, të dëgjohen mbi ata që nxisin dhunën dhe shkatërrimin. Ndërsa vazhdoni punën tuaj të rëndësishme, ju lutem mbani parasysh, se, edhe në atë ditë ku Dielli t’ju godasë, dhe barra juaj të jetë e rëndë, Perëndia do t’u japë gjithçka që nevojitet për t’ia dalë mbanë”, u shpreh z. Lu.
Ndërsa ambasadorja e Delegacionit të BE-së në Tiranë, znj. Romana Vlahutin, e vuri theksin në harmoninë dhe bashkëjetesën paqësore që karakterizon shqiptarët e të gjitha besimeve.
“Jam e nderuar që marr pjesë në një organizim të tillë, i cili, veç të tjerash, tregon për respektin dhe vlerësimin që ju keni dhe ushqeni për bindjet dhe vlerat e njëri-tjetrit”, tha znj. Vlahutin.
Pjesëmarrësit i përshëndeti edhe Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Baba Edmond Brahimaj.
I ftuar special në këtë konferencë ishte Prof. Dr. John Esposito, pedagog i Fesë, Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Studimeve Islame në Universitetin Georgetown, si dhe një ndër emrat më të njohur në fushën e religjioneve.
Profesori italo-amerikan foli gjatë mbi dallimet dhe qëndrimet rreth Islamit dhe kontributit të tij për forcimin dhe konsolidimin e paqes në kontekstin e zhvillimeve globale.
“Pavarësisht dallimeve, – u shpreh z. Esposito, – ne duhet të punojmë për të luftuar çdo formë të ekstremizmit, duke mbrojtur dhe kultivuar vlerat humane, të cilat çdo fe hyjnore i ka dhe kërkon t’i përçojë për të mirën e njerëzimit.”
Seanca e përshëndetjeve u mbyll për të vijuar në orën 14.00, me dy seanca shkencore, të cilat do të jenë të hapura për publikun, ndërsa më pas do të ketë një seancë speciale me liderët e Bashkësive Islame të Ballkanit, të cilët do të përcjellin mesazhe të rëndësishme në lidhje me temën e konferencës.
Referues në konferencë janë akademikë dhe studiues të fushave të ndryshme nga SHBA, Italia, Arabia Saudite, Egjipti, Turqia, Kosova, Maqedonia, Serbia, Kroacia, Mali i Zi, Bosnje Hercegovina, etj.
Përmes temave të ndryshme ata do të përqendrohen kryesisht në mesazhet universale të Islamit dhe kontributit që ai duhet të japë për forcimin dhe konsolidimin e paqes.
Në seancën përmbyllëse, organizatorët do të japin përfundimet dhe konkluzionet në lidhje me temën e konferencës.