Dritë nëpërmjet një gazete
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, ka botuar së fundmi bibliografinë e gazetës “Drita Islame”, një botim prej 500 faqesh i cili përmbledh titujt e 20 viteve të ekzistencës së kësaj gazete, deri në momentin e kthimit të saj në një revistë të përmuajshme.
Bibliografia e gazetës Drita Islame (1992-2011)”, përfshin 347 numra dhe është hartuar në mënyrë kronologjike, ku si bazë është marrë numri i parë i daljes së gazetës dhe në fund vjen edhe pjesa e treguesit alfabetik e të gjithë autorëve të gazetës “Drita Islame”.
Në këtë botim përfshihen 4765 tituj, si dhe emrat e 1160 autorëve që kanë dhënë kontributin e tyre ndër vite.
Në këtë botim të Komunitetit Mysliman një kontribut të veçantë ka edhe studiuesi z. Faik Kasollja.
Në 20 vitet e saj si gazetë, vlen të përmendet kontributi i jashtëzakonshëm i intelektualëve myslimanë për shkrimet e tyre me vlerë dhe sidomos puna ndër vite e zotërinjve: Ismail Muçej (kryeredaktori i parë), Nasuf Dizdari, Ali Hoxha, Faik Kasollja, Fejzi Zaganjori, Shaban Vani, Dritan Basha, Hektor Saliaj, Ervin Hatibi (kryeredaktor), Redin Quku, Bledar Myftari, Dorian Demetja (drejtor), Agron Hoxha (kryeredaktor & drejtor), Genti Kruja (drejtor), Ali Zaimi, Haxhi Lika, Ferit Lika, e shumë bashkëpunëtorë dhe korrespondentë nga vendi dhe bota, të cilët do të jepnin kontributin e tyre që “Drita Islame” të vazhdonte rrugën dhe misionin e saj.
Ky botim, shërben jo vetëm për të evidentuar trashëgiminë e çmuar të periodikut islam shqiptar, por do të lehtësojë mjaftueshëm punën e studiuesve dhe njerëzve të interesuar për tematika të ndryshme me karakter fetar dhe jo vetëm, pas lirisë së shtypit në përgjithësi dhe atij Islam në veçanti.
Pak histori
“Drita Islame”, e themeluar më 1992, nisi misionin e saj pas një periudhe të gjatë zbrazëtie mediatike të Islamit, në një panoramë jetike ku regjimi komunist pothuajse kishte shfarosur gjithçka. Më 7 tetor 1991, Haxhi Hafiz Sabri Koçi, i drejtohej Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sporteve me një shkresë ku mes të tjerash, i kërkon të mundësojë botimin e një gazete. Kështu, në janar të vitit 1992, gazeta e parë islame në gjuhën shqipe pa dritën e botimit, duke çelur një dritare të re për besimtarët myslimanë shqiptarë.
Që në zanafillë të saj gazeta ka pasur si mision që të përçojë, në radhë të parë, të vërtetat e Islamit, rregullat dhe dispozitat kur’anore, vlerat e fjalëve, moralit dhe karakterit profetik, të promovojë e të hedhë dritë mbi figurat e personalitetet e pendës dhe të kulturës islame në Shqipëri, duke pasqyruar veprimtarinë dhe jetën kulturore e fetare në të gjithë vendin.
Ky organ mediatik do të bëhej shumë shpejt tribunë e mendimit intelektual islam. Në faqet e saj është pasqyruar qartë ideja e harmonisë dhe mirëkuptimit, ndërsa interesat kombëtare kanë dalë përherë në pah dhe janë lidhur ngushtë me identitetin kombëtar, duke mbrojtur interesat e të gjithë shqiptarëve brenda dhe jashtë kufijve shtetërorë.
Sot “Drita Islame”, që prej janarit 2012, vazhdon rrugëtimin e vet si një revistë mujore, edukative dhe kulturore, duke u bërë një dritare e hapur e rrezatimit të dijes dhe të vërtetës. “Drita Islame” është e të gjithëve dhe vetëm bashkërisht do të bëjmë të mundur të rrezatojë me ndriçimin e saj të vërtetë.