Medresetë e Shqipërisë kanë përfaqësuar vendin tonë në shumë konkurse ndërkombëtare mbi fusha të ndryshme të shkencave.
Më poshtë do të gjeni disa nga projektet ku nxënësit e Medreseve kanë marrë pjesë.
- Medalje Argjendi në Gjeorgji
Në olimpiadën shkencore IYIPO, e cila u organizua në Gjeorgji, Medreseja e Kavajës “H. Ali Korça” mori pjesë me projektin mbi pastrimin e mjedisit nga mbetjet. Në këtë olimpiadë Medreseja e Kavajës u përfaqësua nga nxënësit Esmir Keci dhe Xhevit Dushku të cilët u vlerësuan me medalje Argjendi.
- Medalje Bronzi në SHBA
Nxënësit e Medresesë së Kavajës “Hafiz Ali Korça”, Adi Hajrullaj dhe Albi Marqeshi së bashku me mësuesin e tyre M. Salih Ergun fituan medalje bronzi në Olimpiadën Ndërkombëtare të Projekteve Inxhinierike e Mjedisore për energji botërore të qëndrueshme (I-SWEEEP 2015) të organizuar në Texas, SHBA. Projekti i nxënësve të Medresesë konsistonte në heqjen e fenolit në vajin e ullirit me anë të përzierjes së gjetheve të ullirit dhe farave të lulediellit. Kjo metodë krijonte një mënyrë më të mirë filtrimi dhe vaj shumë më cilësor.
- Medalje Bronzi në Rumani
Medreseja e Beratit me anë të nxënësve të saj Ernedo Selami dhe Bruno Plaku, shoqëruar me mësuesin e informatikës z. Gentjan Lami morën pjesë në konkursin ndërkombëtar të InfoMatrix. Ata konkuruan në fushën e programimit me anë të një aplikacioni për celularë duke fituar medalje bronzi. InfoMatrix është një konkurs ndërkombëtar në fushën e informatikës. Në konkurs morën pjesë 357 projekte nga 51 shtete.
- Medalje Bronzi në Rumani
Nxësësi i Medresesë së Tiranës Rigels Kurushi, mori pjesë në konkursin ndërkombëtar InfoMatrix i organizuar në Rumani. Ndër 357 projektet dhe 51 shtete pjesëmarrëse, ai fitoi medalje Bronzi. Projekti bënte pjesë në kategorinë e filmave me metrazh të shkurtër. “Poisoned Elixir” (Eliksiri i helmuar) ishte filmi nëpërmjet të cilit arriti të marrë medaljen e Bronzit. Morali i këtij filmi i cili u pëlqye jashtë mase nga juria rumune, ishte: “Të vjedhësh, do të thotë të ëmbëlsosh veten me helm”.
- Çertifikatë Suksesi në SHBA
Në datat 7 Maj – 11 maj 2015 në Houston, Texas të SHBA-ve, u zhvillua Olimpiada Ndërkombëtare e Projekteve Inxhinierie e Mjedisore për energji botërore të qëndrueshme (I-SWEEEP 2015) ku u paraqitën mbi 427 projekte të 70 vendeve të ndryshme të botës. Medreseja e Tiranës “H. M. Dashi” u përfaqësua nga nxënëset Elona Lushi dhe Joana Muçogllava. Në përfundim të programit nxënëset e medresesë së Tiranës morën çertifikatë suksesi.