Universiteti Bedër do të ketë një kampus të ri

beder inaugurimi (2)

Universiteti Hëna e Plotë Bedër hodhi themelet për ndërtimin e kampusit të ri universitar në zonën e Saukut në Tiranë. Ceremonia e organizuar me këtë rast, u përshëndet nga Kryeministri, Z. Sali Berisha,  Kryetari  i Komunitetit Musliman të  Shqipërisë Haxhi Selim Muça,  Drejtori i Bordit drejtues të Fondacionit Sema Z. Asim Budak, të cilët vunë në dukje rëndësinë që ka kjo ditë në përmbushjen e misionit të universitetit për të qënë një institucion i arsimit të lartë me standarde bashkëkohore.
beder inaugurimi (3)Kryetari i Komunitetit Mysliman, H. Selim Muça, në fjalën e tij tha: “Sot inaugurojmë fillimin e punimeve të ndërtimit të kampusit universitar me një strukturë dhe teknologji moderne dhe bashkëkohore. Dy vjet më parë në këtë vend ne inauguruam hapjen dhe themelimin e Universitetit Hëna e Plotë-Bedër. Megjithëse dy vjet janë pak për një universitet, ne shohim sot, se stafi akademik i përkushtuar dhe studentët dijedashës kanë bërë që emri i këtij universiteti t’i kapërcejë shumë shpejt kufijtë e vendit tonë”.

“Brezi i parë i studentëve që kanë filluar studimet para dy vitesh – vijoi z. Muça, -do të ndihen me fat dhe të privilegjuar, që do të jenë brezi i parë i ndriçuar nga Hëna e Plotë Bedër. Ata së bashku me stafin e mrekullueshëm akademik me në krye rektorin Dr. Gjana, do të jenë krenarë që janë gurët e parë të këtij mozaiku të mrekullueshëm që fillon dhe ndërtohet sot”,.

“Për të gjithë punën e bërë gjatë këtyre dy viteve për të ardhur në këtë ditë të shënuar të arsimit tonë, unë falënderoj qeverinë shqiptare, kryeministrin Berisha, Ministrin e Arsimit dhe të Shkencës z. Myqerem Tafaj, për të gjithë ndihmën dhe kontributin e tyre, si dhe Fondacionin SEMA, i cili duke qenë sponsori kryesor i Universitetit, ka bërë të mundur sjelljen e infrastrukturës më moderne në mësimdhënien e shkollave tona në Shqipëri”, përfundoi kryetari Muça.

beder inaugurimi (5)Kryeministri i vendit Sali Berisha përshëndeti të pranishmit dhe shprehu kënaqësinë që merrte pjesë në këtë ngjarje që, siç deklaroi ai, është një nga ngjarjet më të mëdha të historisë së besimit islam në Shqipëri. “Ju uroj shumë suksese në këtë universitet, ndërsa dëgjojmë deklaratat e përfaqësuesve të shkëlqyer të tij sot, që ndihen krenarë me zgjedhjen që kanë bërë sepse të gërshetosh mësimet e Zotit me mësimet e shkencave teknike e shoqërore, i bën vetes një shërbim shumë të madh. Mësimet e Zotit janë mësimet për vlerat hyjnore, janë mësime të cilat gjithë jetën do t’u ndihmojnë të gjeni forcë për të përballuar me dinjitet dhe besim të madh tek Zoti çdo lloj situate, të gjeni forcë për të shkuar në anën e së mirës, të së drejtës, të gjeni forcë për t’u përkushtuar ëndrrave tuaja të bukura dhe shndërrimit të tyre në realitet…”, u shpreh kreu i ekzekutivit.

Kryeministri Berisha përgëzoi Kryetarin e Komunitetit Mysliman H. Selim Muça dhe Rektorin e Universitetit, Dr. Ferdinand Gjana, për arritjet e këtij institucioni kur u shpreh se “Dua të shpreh nderimin më të madh, mirënjohjen time më të thellë, ndaj Kryetarit të Komunitetit Mysliman Shqiptar Haxhi Selim Muca, kryetarit të Fondacionit Sema, qeverisë turke për ndihmën e tyre bujare në ringritjen e infrastrukturës së rrënuar fetare në këtë vend, të falënderoj rektorin Gjana dhe të gjithë ekipin pedagogjik, të gjithë pedagogët për punën e shkëlqyer që bënë në vendosjen e standardeve më të larta në mësimdhënie në këtë universitet.”

“Sot është një ditë e madhe për të gjithë besimtarët myslimanë, për të gjithë besimtarët e Zotit, inaugurohet fillimi i punimeve të korpusit të ri të Universitetit Bedër, një dhuratë kjo bujare e Fondacionit Sema. Kjo ngjarje e madhe vjen vetëm pas pak ditësh që ne së bashku inauguruam fillimin e punimeve të xhamisë më të madhe të vendit, xhamisë së Tiranës”, tha ndër të tjera z. Berisha.

beder inaugurimi (4)Fjalë përshëndetëse mbajti edhe Asim Budak, Drejtor i Fondacionit Arsimor e Kulturor “SEMA”. Z. Budak vlerësoi arritjet dyvjeçare të institucionit, të cilat e kanë kthyer atë në një qendër model për arsimimin dhe edukimin e brezit të ri vendas e të huaj. I kënaqur për arritjen e kësaj dite të rëndësishme për universitetin dhe Komunitetin Mysliman, ai shprehu falënderimin e mirënjohjen e thellë për Komunitetin Mysliman dhe shtetin shqiptar për ndihmën që i kanë ofruar këtij institucioni që nga dita e hapjes e deri më sot.

Në prani të ministrave të kabinetit, rektorit të Universitetit të Tiranës, z. Dhori Kule, përfaqësuesve të komuniteteve të tjera fetare, përfaqësuesve të trupit diplomatik, pedagogëve e studentëve të këtij universiteti dhe të ftuar të tjerë, Kryetari Selim Muça, Kryeministri Berisha, Rektori Gjana dhe ambasadori i Turqisë në Tiranë shtypën njëherësh butonin për hedhjen e shtresës së betonit duke i hapur kështu rrugën punimeve për ndërtimin e kampusit të ri universitar me vlerë 20 milion euro.

Universiteti Hëna e Plotë – Bedër

Universiteti Hëna e Plotë “ BEDËR” BEDËR” u themelua në prill të vitit 2011 me vendim të  Këshillit të Ministrave , me anë të të cilit u miratua dhënia e licencës për ushtrimin e aktivitetit si një institucion i arsimit të lartë, duke ofruar programe  studimi të ciklit të parë dhe të ciklit të dytë.  Universiteti Hëna e Plotë “ BEDËR” çeli dyert për studentët e parë më datë 3 tetor 2011, duke shënuar kështu fillimin e aktivitetit akademik dhe kërkimor.

Universiteti është i organizuar në dy fakultete, 6 departamente dhe 19 programe studimi në ciklin e parë dhe të dytë në Drejtësi , Shkenca Komunikimi, Shkenca Islame, Gjuhe dhe Letërsi Angleze, Gjuhë dhe Letërsi Turke dhe  Shkenca Edukimi,

Në dy vitet e aktivitetit të tij, universiteti  numëron rreth 500 studentë në  7 programe bachelor dhe 12 programe master.  Me studentët nga 15 shtete të ndryshme dhe me një staf  akademik që përbëhet nga pedagogë të ardhur nga 8 vende, universiteti ka konsoliduar tashmë një  profil të qartë  ndërkombëtar.

Kërkimi shkencor është një ndër shtyllat kryesore të misionit të ketij universiteti.  Për këtë arsye në dy vitet e  para të aktivitetit u organizuan  6 konferenca shkencore në nivel ndërkombëtar dhe 3 konferenca kombëtare.  250 kumtesa të paraqitura dhe më shumë se 300 referues, nga afro 20 vende të botës janë një kontribut i rëndësishëm në fushën e kërkimit shkencor.

26/04/2013

beder inaugurimi (6)beder inaugurimi (7)beder inaugurimi (1)beder inaugurimi (8)beder inaugurimi (9)

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë