Drejtoria e Rinisë në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë organizoi një simpozium në qytetin e Pogradecit. Në këtë aktivitet u trajtua rëndësia, vlerat dhe dobitë e vëllazërisë në Islam. 

Të ftuarit dhe pjesëmarrësit i përshëndeti Myftiu i Pogradecit, Namik Mahmutllari, i cili mes të tjerash tha: “Shoqëria e mirë është dhunti prej Zotit të gjithësisë. Vetë Profeti a.s. ka thënë: “Atij njeriu që Zoti ia do të mirën, i jep një shok të mirë”.

Drejtori i Rinisë, Armand Shehu, referoi temën “Vlera dhe kuptimi i vërtetë i vëllazërisë në Islam”. “Islami – tha z. Shehu, – e zgjeroi kuptimin e vëllazërisë nga një rreth i ngushtë familjar në një dimension më kuptimplotë, larg lidhjes së gjakut, por të lidhur njëri me tjetrin nëpërmjet besimit tek Allahu”.

Kryevaizi Lauren Luli e vuri theksin te dobitë dhe përfitimet që kanë njerëzit dhe shoqëria nga një vëllazëri e sinqertë. “Sot janë të rrallë ata njerëz, që lidhen me njëri-tjetrin pa pasur ndonjë interes. Ne myslimanët kemi vetëm një interes të përbashkët: të arrijmë kënaqësinë e Zotit të gjithësisë”, u shpreh z. Luli.

Ndërsa zv/myftiu i Tiranës, teologu Gazmend Teqja, foli për fenomenet negative që largojnë myslimanët nga njëri-tjetri. “Ne si myslimanë – vuri në dukje z. Teqja, – duhet të kemi marrëdhënie të mira jo vetëm me njëri-tjetrin, por edhe me të tjerët, sepse Zoti na ka krijuar mes njerëzve. Nëse e mira nuk bën përpjekje për ta ndryshuar të keqen, e keqja do të shtohet gjithnjë e më shumë”.

Teologu Elmaz Fida trajtoi nevojën e besimtarëve për modele, ku sipas tij, jeta e Profetit a.s. dhe marrëdhëniet që ai kishte me shokët e tij, shërben si model në këtë drejtim. “Në jetën e Profetit Muhamed a.s. gjejmë të manifestuar modelin e vëllazërisë së vërtetë. Ishte ajo vëllazëri e sinqertë, që prodhoi më pas një shoqëri ku respektohej e drejta dhe vlerësohej virtyti”, tha z. Fida.

Aktiviteti i moderuar nga Drejtori i Rinisë, z. Armand Shehu, u mbyll me lutjen drejtuar Zotit të Plotfuqishëm që të na takojë dhe të na rrethojë gjithmonë me njerëz të sinqertë.

4 qershor 2015

DSC08274

DSC08279

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë