Mbrëmjen e djeshme, datë 13 qershor 2015, Myftinia Krujë organizoi programin festiv “Mirësevjen Ramazan”.
Në këtë aktivitet të organizuar në pallatin e kulturës së qytetit merrnin pjesë nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Ali Zaimi, myftiu i Krujës, z. Ledjan Cikalleshi, pedagogi i Shkencave Islame në Universitetin Beder, z. Elton Karaj, imamë të rrethit të Krujës, si dhe besimtarë e besimtare të këtij qyteti.
Programi u ccel me fjalët më të bukura, me ajete nga Kurani Famëlartë, kënduar nga studenti i shkencave Islame, Mikel Hazizolli.
Në fjalën e tij përshëndetëse myftiu i rrethit, z. Ledjan Cikalleshi, pasi i uroi të pranishmëve mirëseardhjen, foli mbi mirësitë dhe dobitë që sjell muaji i madhërueshëm i Ramazanit. “Ramazani është muaji kur duhet ta ndjejmë më shumë peshën e së vërtetës. Në këtë muaj shpërblimet janë shumëfish në krahasim me muajt e tjerë, prandaj le të përfitojmë dhe të jemi sa më të devotshëm gjatë këtij muaji”, tha z. Cikalleshi.
Më tej fjalën e mori nënkryetari i KMSH-së z. Ali Zaimi, i cili theksoi se Ramazani është muaji ku manifestohet më shumë mëshirë dhe dashuri. “Ramazani është muaji i lartësimit dhe i lirisë shpirtërore. Ky është muaji ku të pasurit nxiten të mendojnë më shumë për të varfërit, dhe njërëzit në përgjithësi priren t’i forcojnë marrëdhëniet e tyre familjare dhe shoqërore”, tha ndër të tjera z. Zaimi.
Për këtë muaj të madhëruar foli edhe pedagogu i Shkencave Islame z. Elton Karaj, i cili u ndal në aspektin e rinovimit moralo-shpirtëror. “Muaji i Ramazanit është muaji i ofertave dhe i shpërblimeve. Kjo periudhe kohorë duhet vlerësuar në mënyrë që të përfitojmë sa më shumë, dhe të bëjmë një rinovim moralo-shpirtëror”, u shpreh z. Karaj
Gjatë programit grupi i muzikës pranë Universitetit Bedër performoi me ilahi dhe poezi.