Universiteti Bedër, diplomoi brezin e dytë të studentëve në një ceremoni të organizuar me këtë rast në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar. 154 studentë nga 15 vende të ndryshme botës nën brohoritjet e familjarëve dhe duartrokitjet e të pranishmëve hodhën në ajër kapelet e diplomimit duke shënuar kështu mbylljen e një etape mjaft të rëndësishme në jetë.
Në ceremoni ishin të pranishëm, kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë z. Skënder Bruçaj, zv/ministrja e Arsimit dhe Sportit znj. Nora Malaj, rektori i Universitetit Europian të Tiranës Prof. Dr. Tonin Gjuraj, rektori i Universiteti Epoka Prof. Dr. Remzi Altın, rektori i Universitetit Marin Barleti Prof. Dr. Mit’hat Mema, Delegacioni i Universitetit “Della Calabria” në Itali, personalitete të shumtë nga bota akademike, pedagogë universitetesh, familjarë të të diplomuarve, si dhe përfaqësues nga fusha e medias dhe biznesit.
Gjatë fjalës së tij përshëndetëse rektori i Universitetit Bedër Dr. Ferdinand Gjana uroi studentët e diplomuar dhe u shpreh entuziast për suksesin e arritur në këto tre vite, si dhe për ecurinë e universitetit, duke e konsideruar këtë ceremoni diplomimi si një pikë të rëndësishme në konsolidimin e mëtejshëm të institucionit.
“Momente të caktuara në jetë janë të mbushura plot me ndjenja dhe energji pozitive. Kështu janë edhe ceremonitë e diplomimit, të cilat shënojnë një pikë finalizimi të një pune disavjeçare me sukses. Ndiej shumë emocion, energji dhe motivim në këtë moment shumë të bukur dhe gjithashtu historik për ju studentë që po diplomoheni.”- tha rektori Gjana.
Ndërsa Kryetari i Komunitetit Mysliman, z. Skënder Bruçaj uroi studentët me rastin e diplomimit dhe theksoi se marrja e dijes është një obligim që njeriu duhet ta ndjekë gjatë gjithë jetës së tij.
“Unë kam besim të thellë se mendimet, ndjenjat dhe veprat tuaja, që synojnë drejt së ardhmes, janë të lidhura me vendin, popullin, shoqërinë dhe kombin tonë. Duke shërbyer me ndjenjën e përgjegjësisë dhe konstruktivitetit, ju do të vlerësoheni si një model shembullor në sektorët e shoqërisë në të cilët do të kontribuoni. Lutemi dhe shpresojmë që Mëshira e Pafundme nuk do t’i lërë shpresat dhe pritjet tona pa përgjigje!”, tha ndër të tjera z. Bruçaj.
Nga ana e saj zv/ministrja e Arsimit znj. Nora Malaj, pasi përshëndeti të pranishmit dhe uroi studentët e diplomuar u ndal në imazhin dhe cilësinë që ka ndërtuar universiteti Bedër deri më tani. Ajo i inkurajojë studentët e diplomuar, që të përpiqen të gjejnë gjithmonë më të mirën në drejtimet që do të marrin në jetë. Më tej ajo ndau me të pranishmit historinë se si 3 vjet më parë ishte bërë referencë, që një prej studentëve të sapodiplomuar të ndiqte studimet e larta pranë Universtetit Bedër. Tashmë në vitin e tij të katërt akademik Bedër është kthyer në një qendër edukimi, ku promovohet dija dhe kërkimi shkencor, si pjesë e pandashme e misionit të këtij institucioni.