Zyra e Gruas, shtroi mbrëmjen e djeshme një Iftar në ambientet e Sofrës së Ariut, me rastin e Muajit të Bekuar të Ramazanit.
Të pranishëm në këtë Iftar ishin, ministrja për Inovacionin dhe Administratën Publike, znj. Milena Harito, zv/ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Nora Malaj, kryetarja e Aleancës së Grave Deputete, znj. Mesila Doda, bashkëshortja e kryetarit të KMSH-së znj. Emine Bruçaj, ambasadore dhe bashkëshorte ambasadorësh, përfaqësuese të jetës publike, botës së mendimit, biznesit, artit, politikës, medias, drejtuese të shoqatave të ndryshme, si dhe përfaqësuese të shoqërisë civile
Të pranishmet i përshëndeti Përgjegjësja e Zyrës së Gruas në KMSH, znj. Fatma Karaj, e cila theksoi se kjo sofër e ngrohtë iftari që na ka bashkuar sonte, mbart një simbolikë të veçantë pasi ajo nuk bashkon veç myslimanët me njëri-tjetrin, por edhe njerëz me besime të ndryshme.
“Iftari është një tjetër mundësi që i japim vetes për të afirmuar pa dallim besimesh, vlerën e trashëgimisë së madhe të kulturës sonë të bashkëjetesës fetare. Por kjo është po ashtu një tjetër mundësi për të afirmuar atë që ne si shqiptarë kemi për detyrë t’ua përcjellim fëmijëve tanë, si një amanet prej të parëve të të njëjtit gjak pavarësisht besimeve të ndryshme”, tha ndër të tjera Karaj.
Në fund, znj. Karaj falenderoi të gjithë pjesëmarrëset për përgjigjen e ftesës, dhe i uroi që Ramazani i këtij viti të sjellë begati, paqe e mbarësi në familjet e tyre, por edhe për të gjithë shqiptarët e mbarë njerëzimin.