mbledhaj e kp- maj 2013

Këshilli i Përgjithshëm i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, zhvilloi mbledhjen e tij të radhës në ambientet e Medresesë së Tiranës “H. Mahmud Dashi”.

Kjo mbledhje e zakonshme e Këshillit të Përgjithshëm, e cila vjen në përmbushje të detyrimeve fetaro-institucionale dhe pjesë e kuadrit të plotësimit statuor që buron prej statutit të të KMSH-së, i vazhdoi punimet sipas këtij rendi dite:

Raporti i Kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm për periudhën mes dy mbledhjeve;

Raporti i Kryesisë së Komunitetit Mysliman.

Prezantimi i Projektit të Xhamisë së Madhe të Tiranës;

Diskutim i hapur rreth projektit dhe procedurave të tjera që lidhen me të.

Në emër të Kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm raportoi Kryetari Ylli Gurra. Në fokusin e Kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm të KMSH-së njëherazi me evidentimet, verifikimet dhe kontrollet e kryera nëpër myftinitë së bashku me Drejtorinë e Financave gjatë kësaj periudhe, është marrë në shqyrtim veprimtaria e medreseve “Mustafa Varoshi” Durrës, “Haxhi Sheh Shamia” në Shkodër, “H. Mahmud Dashi” në Tiranë.

IMG_4291

Në raport evidentohej se institucionet arsimore të Komunitetit Mysliman, në prag të 20 vjetorit të tyre, kanë ofruar mundësi studimi për të gjithë të interesuarit, duke bërë që pjesa më e madhe e atyre që mbarojnë këto shkolla, të vijojnë studimet në universitetet e ndryshme.

Sipas raportit, medresetë i japin rëndësi komunikimit të përhershëm staf pedagogjik-komunitet prindëror në funksion të arritjes së rezultateve sa më të larta nga ana e nxënësve.

Në raport vihej në dukje gjithashtu se nëpër medrese ka një shpërndarje të përafërt prej 20 deri në 22 nxënësish për çdo klasë, e cila mundëson një mësimdhënie më e fikase dhe që ka ndikim të drejtpërdrejtë tek nxënësit. Frekuentimi i këtyre medreseve përbëhet nga nxënës që vijnë nga qytetet dhe pjesa e mbetur nga zonat përreth tyre. Stafet e medreseve synojnë mbajtjen e rezultateve të larta për të gjithë nxënësit që vijnë nga shkollat e ndryshme, e gjithë kjo për ngritjen e nivelit të medreseve në përgjigje të nevojave të të interesuarve. Kjo është e dukshme edhe në nivelin e mesatares së përgjithshme që evidentohet në këto medrese, çka i bën të radhiten mes shkollave të preferuara të qyteteve ku ushtrojnë aktivitetin e tyre.

Sipas anëtarëve të Kryesisë së KP, medresetë janë përfshirë në aktivitete me karakter social duke dhënë një kontribut të madh në tematikat komunitare dhe duke paraprirë me shembullin që japin në komunitet, si në projektet qytetare për ruajtjen e mjedisit, përfshirjen në jetën kulturore të qytetit krahas shkollave të tjera apo edhe shërbimin komunitar ndaj shtresave në nevojë.

Pjesë e këtyre aktiviteteve janë pjesëmarrja në olimpiadat e organizuara nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, nga drejtoritë arsimore të rretheve, si dhe vlerësimet e marra në konkurset kombëtare e ndërkombëtare.

Këto shkolla, referuar raportit, mbeten tregues i qartë i nivelit të lartë arsimor e edukativ si edhe një siguri e plotë e formimit fetar e shkencor të gjeneratave.

Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra, gjatë raportimit të tij u ndal edhe në çështjen e Xhamisë së Madhe të Tiranës duke theksuar se, më në fund, falë ndihmës së të Madhit Zot, jemi dëshmitarë të një momenti historik dhe kemi prekur ëndrrën e dekadave më parë, atë të fillimit të punimeve të ndërtimit të xhamisë së Namazgjasë.

“Tirana pas 399 vjetësh themelimi të saj përmes trekëndëshit simbolik; xhami, furrë buke dhe hamam si domethënie të pastërtisë shpirtërore, altruizmit dhe humanizmit, bamirësisë si edhe të qytetërimit, 320 vjet pas ndërtimit të xhamisë simbol dhe të vetme që deshi Allahu Fuqiplotë të ishte dëshmitare e historisë sonë të dhimbshme deri në vitet 1990,të xhamise se Et’hem Beut, 93 vjet pas themelimit të saj si kryeqytet dhe 75 vjet pas kërkesës së parë nga ata myslimanë e besimtarë fisnikë të asaj kohe për xhami, vetëm me ndihmën e Allahut Ndihmës, tashmë kemi hedhur hapat e parë që i paraprijnë ndërtimit të kësaj xhamie të kaq shumë kërkuar, të ëndërrruar dhe të domosdoshme për besimtarët e Tiranës dhe krejt Shqipërisë”, deklaroi Myftiu Gurra, duke shtuar: “Namazgjaja kjo pronë-vakf dhuratë për myslimanët dhe për kryeqytetin tonë nga brezat e mëparshëm, na risjell dhe njëherë në kujtesën tonë se shpirti bamirës i myslimanëve jo vetëm nuk është zbehur, por është dëshmi e gjallë edhe e kohës sonë. Dëshiroj që anëtarëve të nderuar të Këshillit të Përgjithshëm të KMSH-së t’ju percjell edhe një shembull më të fundit të dhurimit të pasurive-vakf; një tjetër “Namazgja” në kornizë më të vogël në Tiranë, dhuratë kjo e qytetarit të nderuar Ismail Hysen Xhura. Bëhet fjalë për dhurimin e truallit prej 1013 m2 brenda në Tiranë, ku sot ndodhet xhamia “Xhura” së bashku me qendrën kulturore e cila administrohet nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë”.

IMG_4295

Mbledhja vazhdoi me raportin e Kryesisë së Komunitetit Mysliman të Shqipërisë për të njëjtën periudhë. Kancelari i KMSH-së, z. Ali Zaimi vuri në dukje se aktiviteti i kryesisë për periudhën mes dy mbledhjeve ka njohur organizime dhe aktivitete që do të hyjnë në historinë e institucionit si ditë dhe data të veçanta që do të simbolizojnë plotësimin dhe realizimin e kërkesave disa vjeçare që, me lejen e Allahut, po bëhen realitet.

Sipas tij, pas një përpjekje dhe këmbënguljeje 20 vjeçare të Komunitetit Mysliman dhe dëshirës së pareshtur të mbarë besimtarëve myslimanë, u arrit në marrjen e vendimit të Këshillit të Ministrave, i cili i hap rrugën fillimit të punimeve për ndërtimin e Xhamisë Qendrore të Tiranës dhe më të madhes në vend.

Ndër veprimtaritë dhe organizimet e rëndësishme që institucioni ka organizuar brenda kësaj periudhe, z. Zaimi veçoi: Inaugurimin e fillimit të punimeve për kampusin e ri të Universitetit Bedër; pjesëmarrjen e një delegacioni të lartë të KMSH-së në organizimin e simpoziumit ndërkombëtar “Ixhmaja dhe vetëdija kolektive”, me pjesëmarjen e mbi 4000 studiuesve nga 80 vende të botës; organizimin e programit festiv për të tetin vit radhazi “Profeti Muhamed a.s. – Krenaria e Njerëzimit”: organizimin e aktiviteteve në kuadër të muajit të vlerave profetike në shkallë vendi; kremtimin e 90 vjetorit të themelimit të KMSH-së; ribotimin e revistës “Zani i Naltë” si një periodik 3-mujor; organizimin e simpoziumit “Problemet sociale dhe zgjidhja e tyre përmes metodës profetike”, me pjesëmarrjen e elitës së teologëve shqiptarë, etj.

E gjithë veprimtaria e institucionit, theksoi kancelari Zaimi, për realizimin e planeve afatshkurtra dhe afatgjata është realizuar falë bashkëpunimit të ngushtë të drejtorive me njëra-tjetrën dhe strukturave drejtuese në rrethet respektive, duke hapur për Komunitetin Mysliman një faqe të re në organizimin e jetës fetare dhe shënuar zgjerim të gamës së aktiviteteve të organizuara ndonjëherë prej tij.

Në përfundim të fjalës së tij, kancelari Zaimi kërkoi nga myftinjtë dhe anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm që mos të bëhen pjesë e fushatës elektorale të asnjë force politike, pasi një veprim i tillë, sikurse u shpreh ai, bie ndesh me parimet e fesë dhe me statutin e institucionit që ne përfaqësojmë dhe në shërbim të të cilit jemi. Ajo që ne mund të bëjmë është që t’i ftojmë njerëzit të marrin pjesë në votime, duke e parë këtë si shprehje të vullnetit të lirë dhe ushtrim të së drejtës qytetare.

Pjesë e mbledhjes ishte edhe prezantimi i projektit të Xhamisë së Madhe. Në pak minuta, zv/kryetari i Komunitetit Mysliman, Gazmend Aga i njohu përfaqësuesit e myslimanëve me projektin e xhamisë dhe hapat që po ndiqen në vijimësi për t’i hapur rrugën fillimit të ndërtimit të saj në një kohë sa më të shkurtër.

Gjatë mbledhjes pati pyetje dhe diskutime në lidhje me projektin dhe çështje të tjera që shqetësojnë besimtarët dhe komunitetin.

IMG_4282Raportet e dy kryesive për periudhën mes dy mbledhjeve kaluan për votim dhe u miratuan me shumicën e votave të anëtarëve të pranishëm.

Në përfundim, Kryetari i KMSH-së, Haxhi Selim Muça, pasi bëri konkluzionet e mbledhjes, vlerësoi rolin e qeverisë dhe aktorëve të tjerë që i janë përkushtuar realizimit të xhamisë së re të kryeqytetit, duke iu lutur Zotit që t’ua shpërblejë me të mira në punë e në jetë.

Në fjalën e tij në vazhdim Kryetari Muça nënvizoi se “Xhamia e Namazgjasë nuk është thjesht një xhami e radhës, por një strukturë e rëndësishme që shpreh dëshirën tonë të përbashkët për t’iu drejtuar një Zoti të vetëm, për të dhënë sadopak shembull nga shembulli i shpresës së njerëzimit, Hz. Muhamedit a.s. për shoqërinë dhe për të startuar nga kjo xhami udhëtimin drejt njohjes së Zotit dhe drejt shërbimit ndaj fesë së Tij të pastër”.

04/05/2013

 

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë