“Njerëzit janë krijuar të ndryshëm për t’u njohur mes tyre dhe jo për të treguar urrejtje ndaj njëri-tjetrit, shoqëria nuk mund të jetojë pa dashurinë dhe paqen. Janë pikërisht dashuria dhe paqja ato që bota ka më shumë nevojë se kurrë”, ishte ky mesazhi i nënkryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Ali Zaimi, i pranishëm në takimin “Paqja është gjithmonë e mundshme”.
Nënkryetari Zaimi shtoi më tej se paqja kërkon përpjekje dhe vullnet. E ndërkohë, modeli i shkëlqyer i harmonisë, tolerancës dhe bashkëjetesës fetare në Shqipëri përbën një aspekt shumë pozitiv të vullnetit dhe të kulturës së shoqërisë shqiptare.
Në panelin e diskutimit ishin edhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, përfaqësues të komuniteteve të ndryshme fetare në Shqipëri si Ali Kurti, Lucjan Avgustini, Andon Merdani, si dhe studiuesit Roberto Morozzo della Rocca dhe Tritan Sheshu.
Pjesë kryesore e diskutimeve ishte Shqipëria si vend i bashkëjetesës.
Në këtë takim, nga Komuniteti Mysliman, së bashku me nënkryetarin Ali Zaimi ishte edhe Drejtori i Kulturës dhe Dialogut Ndërfetar, Dr. Genti Kruja.
Përfaqësues të besimeve fetare, nga vende të ndryshme të botës, prej dy ditësh, janë mbledhur në Tiranë në takimin e dialogut mes besimeve dhe kulturave, i cili organizohet me rastin e 20 vjetorit të përfundimit të luftës së fundit në Ballkan.