Besimtarët myslimanë festojnë sot festën e Kurban Bajramit. Ceremonia e Bajramit u organizua si çdo vit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku mijëra besimtarë ishin pjesë e festimeve dhe faljes së namazit të Bajramit.
Ceremonia ka filluar me fjalën më të bukur, me këndimin e një pjese nga Kur’ani Famëlartë, të cilën e përcolli hafizi Enes Hyka.
Nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Bujar Spahiu, uroi besimtarët myslimanë dhe gjithë shqiptarët kudo që ndodhen për festën e Kurban Bajramit.
“Më lejoni që në këto çaste të gëzuara të festës së Kurban Bajramit, festës së sakrificës dhe përkushtimit, t’ju përcjell urimet e mia më të përzemërta, paqe, lumturi dhe gëzim sjelltë në familjet, miqtë dhe të afërmit tuaj. Sot është Kurban Bajrami, festa që simbolizon, sakrificën sublime të njeriut të përsosur, dhe shënjon kulmin e bindjes, besnikërisë dhe dashurisë ndaj Allahut të plotfuqishëm. Kuptimi i kurbanit dhe sakrificës në Islam, nuk qëndron në derdhjen e gjakut të një kafshe, por në aktin e bindjes”, u shpreh nënkryetari Spahiu.
Ndërsa drejtori i Thirrjes në Islam në KMSH, z. Elvis Naçi, foli mbi falënderimin dhe përmendjen e Allahut. “Argumentet për të falënderuar Zotin e Madhërishëm janë të pafundme. Mjafton të shohim vetëm trupin e njeriut të cilin Zoti e krijoi në një formë perfekte, argumente të cilat të çojnë vetëm tek Zoti i Madhërishëm”, tha z. Naçi.
Falja e Namazit të Kurban Bajramit u drejtua nga nënkryetari i Komunitetit Mysliman z. Bujar Spahiu, më pas besimtarët dëgjuan hytben e mbajtur nga Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra.
“Kurban bajrami është shprehje e vëllazërisë, dhembshurisë dhe solidariteti. Besimtarët e këtij vendi me veprat dhe dashurinë ndaj Zotit janë bërë shembull i shkëlqyer jo vetëm në vendin tonë por edhe ne Evropë e më gjerë”, tha ndër të tjera Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra.
Ndërsa Drejtori i Marrëdhënieve me Publikun dhe Median në KMSH. z. Oltion Kola, i cili moderoi programin, u shpreh se Kurban Bajrami si një traditë e shkëlqyer e të parëve tanë, shërben dhe nxit përkrahjen dhe ndihmën reciproke ndaj njëri-tjetrin, për një familje dhe shoqëri të shëndoshë dhe se Kurbanet që do të bëhen sot, të jenë shkak i afrimit tonë me Krijuesin.
Në fund, besimtarët shkëmbyen mes tyre urimet më të përzemërta për këtë festë të dashurisë dhe sakrificës. Mes urimesh dhe lutjesh besimtarët u larguan nga sheshi për të kryer obligimin e bërjes së kurbanit, si dhe për të kryer vizita te të afërmit e tyre.
Kurban Bajrami është festa që simbolizon, midis të tjerash, sakrificën sublime të babait të profetëve, Ibrahimit a.s. Me emrin e kësaj feste janë të lidhura ngjarje madhore që kanë ndryshuar rrjedhën e historisë, si: rindërtimi i Qabes, haxhi, emërtimi “mysliman”, etj. Kurbani paraqet materializimin e nijetit dhe të gatishmërisë, që në emër të Allahut të flijohet. Përveç aspektit shpirtëror të kurbanit, është i rëndësishëm edhe aspekti social i tij, ndihma për atë që nuk ka, në mënyrë që të gjithë së bashku të festojmë këtë festë islame.
24 Shtator 2015