Me rastin e natës së shënuar të Regaibit Komuniteti Mysliman i Shqipërisë organizon një program solemn me duà, lutje dhe Kur’an në xhaminë e Ethem Beut në kryeqytet.
Në këtë program do të jenë të pranishëm një delegacion nga DIJANETI ( Komuniteti Mysliman i Turqisë, me në krye Prof. Dr. Mehmet Görmez, të ftuar nga kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë Haxhi Selim Muça.
Mbarë besimtarët e Tiranës janë të ftuar të marrin pjesë në këtë program me Kur’an, Dua (Lutje) dhe ilahi.
Programi do të organizohet sot (16 Maj 2013) në orën 19:30, në xhaminë e Ethem Beut, Tiranë.
Çështë Nata e Regaibit?
Nata e shënuar Regaib, në gjuhën arabe është shumësi i fjalës “ragibe”, që do të thotë dëshirë, prirje, interesim.
Nata e shënuar Regaib, sipas kalendarit hënor, është nata duke u gdhirë xhumaja e parë (nata që lidh ditën e enjte me të premte) e muajit Rexhep, i cili është edhe muaji i parë i Tre Muajve të Begatë. Çdo natë e xhuma është e bekuar. Kur këto dy net puqen bashkë nata bëhet akoma më e bekuar dhe më e dobishme. Me vlerat që përmban kjo natë, është njëkohësisht sihariqi dhe lajmëtari i parë i muajit Ramazan. Në aspektin psikologjik kjo është shumë e rëndësishme, sepse besimtari hyn në një parapërgatitje shpirtërore dhe e drejton veten e tij kah adhurimet, përgjegjësitë individuale dhe familjare, duke urdhëruar të mirën e duke ndaluar të keqen.