Përfaqësuese të Zyrës së Gruas në Komunitetin Mysliman, janë ndalur këtë të enjte në Dibër, ku kanë zhvilluar ciklin e përjavshëm të ligjëratave fetare nëpër rrethe.
Në takimin me besimtaret e këtij rrethi, është folur mbi rolin e familjes në Islam dhe shembullin e Profetit Muhamed a.s.
Përfaqësuesja e Zyrës së Gruas znj. Nadia Lika, në fjalën e saj mbi rolin e familjes, theksoi se jeta familjare është bazuar në sakrifica, besnikëri dhe bindje dhe se sistemi i familjes islame i vendos të drejtat e burrit, gruas, fëmijëve dhe të afërmve, në një ekuilibër të përsosur.
“Qetësia dhe siguria e ofruar nga një familje e stabilizuar ka vlerë të jashtëzakonshme dhe është thelbësore për anëtarët e saj. Pa ekzistencën dhe përkrahjen e një familjeje të shëndoshë nuk mund të realizohet kurrë harmonia në shoqëri”, nënvizoi znj. Lika.
Ndërsa, Ana Haxhiu, përfaqësuese në Zyrën e Gruas, lidhur më rolin e familjes në islam iu referua Profetit Muhamed a.s., shembulli i të cilit mbetet i pashoq.
“Muhamedi a.s. ka thënë: “Më i miri (më i dobishmi) prej jush është ai, që është më i miri për gruan (familjen) e tij, e unë jam më i miri prej jush për familjen time.” Pra, ashtu si në çdo aspekt tjetër edhe në familje, Profeti ynë mbetet shembulli më i mirë për t’u ndjekur”, tha zj. Haxhiu.
Familja është shkolla e parë për edukimin e fëmijëve. Një familje e shëndoshë kultivon në shpirtin e fëmijës ndjenjën e dashurisë, respektit dhe bashkëpunimit, vullnetin e mirë për të tjerët, punën për të mirën e përgjithshme, si dhe sakrificën për hir të parimeve të larta.
Islami e ndërtoi strukturën familjare mbi baza të shëndosha, më qëllim suksesin dhe vazhdimësinë e saj.
Për të pranishmet u shtrua edhe një koktej nga Myftinia Dibër.
15 tetor 2015